Lajme

Dita e Fitores ‘kremtohet’ mes humbjeve për Rusinë


Parada ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë është bërë një ngjarje e përvitshme, duke shënuar fitoren mbi Gjermaninë naziste më 9 maj të vitit 1945.

Por, nën udhëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin kjo datë ka marrë një tjetër përfytyrim.

Dita e Fitores është kthyer në një shfaqje të forcës së trupave dhe pajisjeve ushtarake.

Njëzet e shtatë milionë qytetarë sovjetikë vdiqën, deri tani humbja më e madhe e çdo vendi, në atë që rusët e quajnë Lufta e Madhe Patriotike.

Këtë vit, ngjarja ka marrë një rëndësi të vetën.

Larg nga çlirimi i Evropës, Rusia po zhvillon një luftë prej dy muajsh e gjysmë kundër fqinjit të saj Ukrainës.

Regjimentet që luajtën një rol kyç në luftë pritet të parakalojnë përpara kryesisë dhe presidentit, fjalimi i të cilit do të ketë jehonë në të gjithë Sheshin e Kuq.

Udhëheqësi rus shpesh e përdor këtë moment për të dërguar mesazhe synimi.

Historia

Parada e Ditës së Fitores u shënua herë pas here në epokën sovjetike dhe u ringjall nga ish-presidenti Boris Yeltsin për 50-vjetorin në 1995.

Por ishte Vladimir Putin në vitin 2008 që e bëri atë një ngjarje vjetore me pajisje ushtarake.

Identiteti rus është krijuar kryesisht me Ditën e Fitores në sfond, me libra shkollorë dhe libra historie që fokusohen në Rusinë si çlirimtaret e Evropës gjatë kohës së luftës.

Pretendimet se ai do të deklarojë përfundimin e fushatës “speciale” janë mohuar, ashtu si dhe raportet se ai do të shpallë një deklaratë të plotë të luftës ose një mobilizim të rusëve.

Ushtria ruse nuk do t’i “rregullojë artificialisht” veprimet e saj në ndonjë datë të caktuar, deklaronte ministri i Jashtëm Sergei Lavrov.

Pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, Vladimir Putin shënoi Ditën e Fitores me një fjalim në Sheshin e Kuq për mposhtjen e fashizmit.

Kjo, përpara se të fluturonte në portin e Detit të Zi të Sevastopolit për të festuar fitoren e tij të re para mijëra shikuesve.

Në vend që të festojë përmbysjen e qeverisë së Ukrainës, Kremlini do të duhet të kënaqet me kapjen e pjesës më të madhe të Mariupol-it.

Udhëheqësi i Rusisë në rajon, Denis Pushilin, ka thënë se parada në qytetin-port do të duhet të presë derisa Mariupol-i të bëhet pjesë e të ashtuquajturës Republikë Popullore të Donetsk-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore