Shqipëria

“Dita e Dëshmorëve të Atdheut”, politikanët zhvillojnë homazhe


Politikanët shqiptarë mëngjesin e së enjtes kanë marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të “Dëshmorëve të Atdheut”.

Në Memorialin “Nëna Shqipëri”, vendosën kurora me lule Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Nga ana tjetër Meta, mëngjesin e 5 majit ka përkujtuar dëshmorët e rënë për atdheun nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook.

“5 Maji është një ditë kujtese dhe nderimi për Qemal Stafën dhe mijëra të rinj e të reja që dhanë jetën për kauzën e Lirisë”, shkruante Meta më herët.

Meta e përmbylli me një mesazh se, “është një ditë e madhe frymëzimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe për të qenë gjithmonë vigjilentë në mbrojtje të Sovranitetit, Lirisë dhe Pavarësisë”.

“Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të paharruar të Atdheut!”, përmbyllet mesazhi përkujtues i Presidentit.

Gjithashtu, edhe kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke përkujtuar këtë datë të rëndësishme për shqiptarët.

Ai, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, shkruan se kujton përulësisht me respekt ata që e deshën atdheun me jetë.

“Të paharrueshmit, Dëshmorët tanë pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit”, shkruan Rama.

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përkujtuar dëshmorët e atdheut.

“Respekt për ata që e deshën atdheun me jetë”, përmbyllet mesazhi i tij.

5 Maji shënjon ditën e “Dëshmorëve të Atdheut”.

5 Maji

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën më 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në këtë ditë janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut.

Në vitet 1960, statusi i dëshmorit u përpunua më tej duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”.

Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.

Në vitin 2000, u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Institucionet qendrore dhe vendore, organizatat e shoqërisë civile, si dhe organizatat e dëshmorëve në Shqipëri organizojnë çdo vit ceremoni përkujtimore me rastin e 5 Majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore