Lajme

Disidentët e torturuar në Iran, “të detyruar të përdhunojnë njëri-tjetrin teksa rojet i filmojnë”


“Unë jam Aliu, jam 42 vjeç dhe jam një shofer taksie. U arrestova para Universitetit të Isfahan-it, në fund të tetorit. Kam mbështetur studentët në protestat kundër diktatorit Khamenei”.

Ai sapo është liruar nga burgu dhe është një nga të paktët që dëshiron të tregojë atë që ka kaluar, parë dhe dëgjuar.

Rojet e hipën në një makinë dhe e çuan në një qendër të fshehtë paraburgimi.

Përveç burgjeve, regjimi ka dhjetëra struktura, adresa e të cilave nuk dihet për publikun, ku merr në pyetje, torturon dhe ndalon disidentët.

“Ata janë më të mirë me kafshët sesa me ne”, ka treguar Aliu. “Ishte një burrë shumë i gjatë me kapuç. Gjithmonë na fyente dhe na godiste”.

Historia e tij është më shumë se sa e dhimbshme.

“Na futën në një dhomë dhe na rrahën, na kërcënuan dhe na urdhëruan të përdhunonim njëri-tjetrin. Në tavan, një aparat fotografik filmonte gjithçka”, ka thënë ai.

Kjo, sepse ata duan materiale me të cilat të shantazhojnë demonstruesit dhe t’i detyrojnë ata të bëjnë deklarata të rreme.

Iran Human Rights Monitor, një OJQ me qendër në Londër, i ka konfirmuar mizoritë për të cilat Aliu flet. “Përdorimi sistematik i përdhunimeve në burgje nuk është asgjë e re. Ato u ndodhin edhe grave edhe burrave, pa dallim”.

Kanë ndodhur në vitet ‘80, gjatë Revolucionit të Gjelbër, në protestat e vitit 2019 dhe madje edhe sot.

Por shifrat nuk dihen për dy arsye: frika nga viktimat e shantazhuara nga regjimi dhe stigma sociale.

Një raport i Amnesty Internationali vitit 2020 ka konfirmuar se përdhunimi është një metodë e përdorur gjerësisht e torturës dhe represionit, përveç rrahjeve, izolimit dhe elektroshokut.

“Burimet raportuan se hetuesit dhe gardianët kanë ushtruar dhunë seksuale ndaj të arrestuarve. Ata i zhveshën lakuriq, i poshtëruan, përdorën spraj me piper në organet e tyre gjenitale dhe elektroshok në testikujt e tyre”, thuhet në raport.

“Të burgosurit meshkuj përdhunoheshin përmes depërtimit me mjete të ndryshme, përfshirë shishet ”, vijon raporti.

Aliu dhe shokët e tij u përpoqën ta ndalonin këtë trajtim çnjerëzor, por sa më shumë rezistonin, aq më shumë rriheshin.

“Ata na torturuan, ne dëgjuam të tjerët që bërtisnin nga qelitë aty pranë. Ata i përdhunuan. Na e kanë privuar dinjitetin”.

Edhe Sara, 23 vjeç, ngjashëm si Aliu përfundoi në burg pas një demonstrate.

Ajo iu nënshtrua sulmeve seksuale. Rojet e përdhunuan në mënyrë të përsëritur.

Sara nuk dëshiron të flasë për abuzimin seksual që pësoi, sepse “ende nuk mund të kujtoj atë moment”, por dëshiron të flasë për një aspekt tjetër të torturës: dhunën psikologjike.

Sara ka treguar se ata e nxitën të mendonte t’i merrte jetën vetes, por ajo u përgjigj “jo”, donte të jetonte për të parë Iranin e saj të lirë.

“Torturuesit i bindën të burgosurit e zakonshëm të na keqtrajtonin. Më mbushën me pilula. Unë u detyrova t’i gëlltitja. Nëse refuzoja, destinacioni ishte izolimi”, ka vijuar ajo.

Sot, Sara dhe Aliu janë liruar me kusht.

Aliu nuk është politikan, por ai është pjesë e një prej bërthamave të rezistencës që lëvizin nën udhëheqjen e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane, dhe në veçanti të Muxhahedinëve të Popullit, armiqtë numër një të regjimit.

“Po ta dinin vizionin tim politik, do të më kishin vrarë”, ka thënë ai.

Po ashtu ka zbuluar se ka shumë të burgosur.

OJQ-të flasin për 15 mijë demonstrues të arrestuar që nga fillimi i protestave, shifrat që vijnë nga brenda vendit flasin për dyfishin.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore