Lajme

Disa kongresistë amerikanë falënderojnë Kosovën për strehimin e afganëve


Kongresi i SHBA-ve

Katër kongresistë amerikanë i kanë dërguar një letër falënderimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti për strehimin e afganëve në Kosovë.

Presidentja Osmani e ka publikuar letrën në llogarinë e saj në Twitter.

Ajo ka shkruar se Kosova dhe SHBA-të ndajnë vlera dhe qëllime të përbashkëta.

“SHBA mund të llogaritë në mbështetjen tonë në të ardhmen”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.

Në letrën e kongresistëve amerikan thuhet “Duam që t’ju shprehim mirënjohjen dhe përkrahjen për asistencën e Republikës së Kosovës në strehimin e përkohshëm të partnerëve afganë, gazetarëve, aktivistëve për të drejtat e njeriut, minoriteteve të persekutuara dhe grupeve të tjera të rrezikuara teksa ata presin procesimin e vizave për në shtetet tjera”.

Kjo letër është nënshkruar nga Jeanne Shaheen, Maggie Hassan, Chris Pasppas dhe AnnMcLaneKuster.

Aktualisht në Kosovë janë duke u strehuar 650 afganë. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi të enjten e 25 nëntorit që zhvilloi me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore