Lajme

Diplomacia izraelite përplaset me shefin e OKB-së, kërkohet dorëheqja e tij


Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen të martën ka denoncuar shefin e OKB-së Antonio Guterres për kritikat e tij ndaj fushatës së Gazës, duke rrëfyer detaje grafike të sulmeve të Hamasit ndaj civilëve dhe duke përmendur emrat e fëmijëve të rrëmbyer nga grupi terrorist.

“Zoti Sekretar i Përgjithshëm, në çfarë bote jetoni?”, i thotë Cohen Guterres në anglisht në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit mbi krizën. “Padyshim që kjo nuk është bota jonë”.

Cohen foli pasi Ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez Riyad al-Maliki të martën shprehu keqardhje për mosveprimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndaluar “masakrat” në Gaza nga Izraeli.

“Masakrat e vazhdueshme që po kryhen qëllimisht, sistematikisht dhe në mënyrë të egër nga Izraeli – fuqia pushtuese kundër popullatës civile palestineze nën pushtim të paligjshëm – duhet të ndalen”, tha Maliki.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan kërkoi dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së pasi ky i fundit tha se sulmet e Hamasit nuk ndodhën në vakum.

“Nuk ka asnjë justifikim apo pikë për të folur me ata që tregojnë mirëkuptim për aktet më të tmerrshme të kryera kundër qytetarëve të Izraelit – as më pak nga një organizatë e shpallur terroriste”, tha ai.

Izraeli po proteston pasi Guterres u duk se po përpiqej të shpjegonte shtysën pas sulmeve të grupit terrorist Hamas ndaj Izraelit në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Izraelin-Hamasin.

“Është e rëndësishme të pranohet gjithashtu se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakum”, tha Guterres. “Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet. Ata e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuar nga dhuna; ekonomia e tyre u mbyt; njerëzit e tyre të zhvendosur dhe shtëpitë e tyre të shkatërruara. Shpresat e tyre për një zgjidhje politike të gjendjes së tyre janë zhdukur”.

Guterres shtoi se “ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe këto sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez.

I dërguari izraelit në OKB Gilad Erdan i quan deklaratat e Guterres “tronditëse”, “të tmerrshme” dhe “krejtësisht të shkëputura nga realiteti i rajonit tonë”.

“Komentet e tij… përbëjnë një justifikim për terrorizmin dhe vrasjen”, thotë Erdan. “Është e trishtueshme që një person me pikëpamje të tilla është kreu i një organizate që u ngrit pas Holokaustit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore