Lajme

Dikur peng i Farc-it, tani Ingrid Betancourt kandidon për presidente në Kolumbi


Dikur ishte një peng, por tani ish-senatorja kolumbiane, Ingrid Betancourt, ka njoftuar se do të hedhë sërish kandidaturën për Presidente.

Kjo, 20 vite pasi u rrëmbye nga rebelët e majtë, të ashtuquajtur Farc.

Betancourt ishte duke bërë fushatë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, kur e rrëmbyen rebelët e Farc-it dhe u mbajt peng për më shumë se gjashtë vjet.

Ajo është zotuar se do të luftojë korrupsionin dhe varfërinë.

“Sot jam këtu, për të përfunduar atë që kam nisur”, u tha ajo mbështetësve në kryeqytetin e vendit, Bogota.

Rebelët ishin një grup marksist, që zhvilluan një luftë të ashpër kundër Qeverisë kolumbiane për më shumë se 50 vjet.

Armëpushimi zyrtar u shpall në 2016-ën.

Në këto zgjedhje, Betancourt do të përballet me një sërë kandidatësh. Gjer tani janë mbi 20 kandidatë të deklaruar.

Gustavo Petro, ish-kryebashkiaku i majtë i Bogotas dhe dikur një anëtar i grupit revolucionar gueril M-19, aktualisht kryeson në sondazhet e zhvilluara.

Shumë kolumbianë e shohin atë si një alternativë ndaj presidentit aktual të qendrës së djathtë, Ivan Duque, i cili nuk është i lejuar të rikandidojë nga kufizimet e mandatit.

Shto këtu, që ai ka pësuar një rënie të popullaritetit në sondazhet e fundit.

Pavarësisht famës së saj, Betancourt nuk është shfaqur që nga shpëtimi i saj në 2008-ën nga forcat ushtarake kolumbiane.

Gjatë gjashtë viteve të robërisë së saj në xhunglën kolumbiane, ajo u trajtua brutalisht nga robëruesit e saj, përpara se spiunët e ushtrisë kolumbiane brenda rebelëve të Farcit, të zhvillonin misionin e shpëtimit të saj në korrik të 2008-ës.

Ajo e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës, duke jetuar jashtë vendit në Francë me familjen e saj.

Rebelët e Farc-it luftuan me qeverinë për më shumë se 50 vjet, duke vrarë më shumë se 200 mijë njerëz.

Grupi nënshkroi një marrëveshje paqeje me qeverinë në vitin 2016-ën dhe më pas hyri në Parlament, por disa grupe të ndara mbeten në luftë me Qeverinë qendrore.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore