Shqipëria

Dhuna s’del me dhunë, si plumbi s’del me plumb


Doni ta gjykoni një popull? Këqyrjani një herë fjalët e urta!

Si thonë shqiptarët: Plumbi del me plumb!

E pastaj habitemi se sa shoqëri e dhunshme jemi, sa probleme kemi, sa duam të ndryshojmë.

E si do të vijë ndryshimi?

Për shembull, le të marrim rastin e fundit të përdhunimit të një vajze 11-vjeçare nga pesë djem e burra në Prishtinë.

Një akt pakrahasimisht makabër dhe i dënueshëm në shkallën më të lartë si morale, ashtu edhe penale.

Dy protesta paralele u ngritën, në dy pole, njëri në Prishtinë e tjetri në Tiranë.

Fryma qe e qenësishme dhe në masë konstruktive për formatin e një proteste, por nuk shpëtoi në asnjë rast nga konglomerati i vandalizmit kolektiv.

“Gra, armatosuni”, shkruhej fuqishëm në një pankartë gjatë protestës në Prishtinë.

Në media sociale, gëluan komentet fataliste: Varini autorët, kastrojini, kalbini në burg, si të ishte dekapitimi i pesë personave, zgjidhja e kërkuar.

Dhuna pra, për shumë, veç me dhunë del.

Për studiuesen e psikologjisë, Lenida Halilaj, duket thuajse sikur çdo gjë e ndodhur në këto dy ditë, përligj shprehjen “Sy për sy e dhëmb për dhëmbë”.

Për Albanian Post, ajo shpjegon se në kontekstin e ngjarjeve të fundit, promovohet përgjigja me dhunë e akteve të kryera padrejtësisht, e cila në pamje të parë, ofron një catharsis dhe çliron emocionet negative, të cilat krijojnë konflikte të brendshme të pandërgjegjshme tek individi.

“Duke e parë në këtë kontekst, mund t’i japim të drejtë frustrimit të gjithsecilit, revoltës së justifikuar përkundrejt akteve të shëmtuara që dëshmohen vazhdimisht”, shpjegon më tej ajo.

“Por, duket sikur shumica e sloganeve të dhunshme sugjerojnë vetëgjyqësi, fokusohen tek dëmi që mund/duhet t’i bëhet dhunuesit, kur në fakt fokusi duhet të jetë tek goditja e fenomenit, gjetja e zgjidhjeve efektive, rehabilitimi i viktimës”.

Më tej, Halilaj përkufizon se në lëmin e një feminizmi fals, që në vend se të kërkojë barazi gjinore në kontekstin e të drejtave dhe mundësive, fokusohet në faktin se sjelljet e gabuara të meshkujve mund dhe duhet t’i aplikojnë edhe vajzat e gratë, vetëm për hir të barazisë, nuk mund të arrihen qëllimet për të cilat është nisur lëvizja feministe vetë.

Prandaj, ajo shtjellon se nuk bëhet fjalë për një garë se cili ka më shumë pushtet apo të drejta, por se si vajzat dhe gratë mund të fuqizohen, të ndihen të sigurta dhe të barabarta.

“’Lufta’ nuk është me seksin tjetër, por me mundësitë, normat e drejtësisë sociale, të cilat e thellojnë diferencën”, argumenton Halilaj.

Ajo çfarë u vu re në këto protesta, është edhe numri jo i pakët i artistëve, të cilët ishin pjesëmarrës në to.

Mirëpo, shpesh herë, vetë nga bota e artit, kanë ardhur të stereotipizuara dhe në kufijtë e një seksizmi ekstrem, shembuj të një “antishoqërie” të hapur

Pjesëmarrja e tyre në protesta, është sipas studiueses së psikologjisë një nxitje e mirë për të ofruar vizibilitet më të lartë të protestës, pasi ata kanë impakt të lartë te turma.

Në këtë aspekt, mund ta themi sipas saj, se qëllimi e justifikon mjetin.

Por, a janë modele këto, të cilat i duhen shoqërisë sot?

“Dyshoj se jo”, reflekton Halilaj. “Tekste këngësh që përmbajnë fjalor të papërshtatshëm, objektivizim ekstrem të vajzave, promovim të konsumit të lëndëve narkotike, glorifikim të luksit, nuk japin mesazhet e duhura për të rinjtë, të cilët janë target grupi i tyre i preferuar”.

Megjithatë, as mund të themi se ata vetë janë fajtorët realë të situatës ku ndodhet shoqëria shqiptare.

Kënga, nuk numërohet për gjykatësit si dhunë e rrjedhimisht, dhunimi i tyre verbal, nuk cilësohet.

Veçse, ky i tanishmi, mund të jetë një çast vetëreflektimi për ta, të cilët duke parë impaktin që sjellin në shoqëri, mund të japin mesazhe më kuptimplota.

“Kjo gjë, do t’i bënte edhe më të mirëpritur si pjesëmarrës aktivë në nisma të tilla sociale”, e përmbyll mendimin e saj Halilaj.

Për momentin, për një gjë vetëm jemi të sigurt. Duke parë protestat, të tilla si ishin, dhuna me dhunë nuk del, ashtu si plumbi me plumb nuk ka dalë ndonjëherë, përtej se i ka përkeqësuar rrethanat.

Nëse nuk duam të ndodhë e njëjta gjë, veprimi – ai real – mbetet i shqyrtueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore