Shqipëria

Dhoma e Avokatisë kundër hartës së re gjyqësore, paralajmërojnë bojkotim të seancave


Pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi hartën e re gjyqësore, sipas së cilës do të ketë vetëm një gjykatë Apeli në vend, ka pasur kundërshtim nga avokatët.

Ata kanë paralajmëruar bojkotim të seancave gjyqësore nga data 14 deri më 17 qershor.

Me anë të një njoftimi, Komiteti Drejtues i Dhomës Avokatisë të Shqipërisë konstaton se “vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta”.

“Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve. U injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore”.

Për sa i përket bojkotit, paralajmërohet se “moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht”.

Harta e re Gjyqësore në Shqipëri u prezantua mëngjesin e 28 dhjetorit, me qëllim rritjen e eficiencës së drejtësisë në vend.

Të pranishëm në prezantim ishin ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Naureda Llagami.

Kjo e fundit e konsideronte një domosdoshmëri ndërmarrjen e këtij hapi.

Çfarë do të thotë kjo Hartë?

Prej muajsh, projekti i hartës i është dërguar Ministrinë e Drejtësisë.

KLGJ-ja, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, më 8 qershor e ka hartuar këtë projekt, që i është dërguar për shqyrtimin Ministrisë.

Sipas hartimit, Këshilli ka propozuar që nga “22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, gjashtë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe gjashtë gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative në shkallë të parë, dhe një gjykatë apeli”.

Me fjalë të tjera është kërkuar një ulje e numrit të gjykatave.

Në deklaratë shkruhet se “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore