Lajme

“Dëshpëruese” dhe “të mërzitshme”, më shumë njerëz po largohen nga lajmet


Më shumë njerëz po largohen nga lajmet, duke i përshkruar ato si dëshpëruese, të pamëshirshme dhe të mërzitshme.

Të paktën kështu rezulton nga një studim i fundit global.

Pothuajse katër në 10 (39%) njerëz në mbarë botën kanë thënë se ndonjëherë ose shpesh i shmangin në mënyrë aktive lajmet, krahasuar me 29% në vitin 2017, sipas raportit të Institutit Reuters të Universitetit të Oxford-it.

Luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme mund të kenë kontribuar në dëshirën e njerëzve për të fikur lajmet, kanë thënë autorët e raportit.

Sipas tyre, shmangia e lajmeve tani është në nivele rekord të larta.

Gjithsej 94 mijë e 943 të rritur në 47 vende u anketuan nga YouGov në janar dhe shkurt për Raportin e Lajmeve Digjitale të këtij viti.

Çka vjen në një kohë kur miliarda njerëz në mbarë botën kanë shkuar në qendrat e votimit në zgjedhjet kombëtare dhe rajonale.

Raporti ka zbuluar se zgjedhjet kanë rritur interesin për lajmet në disa vende, duke përfshirë SHBA-të.

Megjithatë, sipas studimit, tendenca e përgjithshme mbetet e qëndrueshme në rënie.

Në mbarë botën, 46 për qind e njerëzve kanë thënë se ishin shumë ose jashtëzakonisht të interesuar për lajmet – nga 63 për qind në vitin 2017.

Në Mbretërinë e Bashkuar, interesi për lajmet është pothuajse përgjysmuar që nga viti 2015.

“Agjenda e lajmeve ka qenë padyshim veçanërisht e vështirë vitet e fundit”, ka thënë autori kryesor i raportit Nic Newman për BBC News.

“Kemi pasur pandeminë dhe luftërat, kështu që është një reagim mjaft i natyrshëm që njerëzit të largohen nga lajmet, qoftë për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor ose thjesht duke dashur të vazhdojnë me pjesën tjetër të jetës së tyre”.

Newman ka thënë se ata që zgjedhin të shmangin në mënyrë selektive lajmet gjithashtu shpesh e bëjnë këtë sepse ndihen “të pafuqishëm”.

“Këta janë njerëz që ndiejnë se nuk kanë përgjegjësi për gjërat masive që po ndodhin në botë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, disa njerëz ndihen gjithnjë e më të mbingarkuar dhe të hutuar nga sasia e lajmeve përreth, ndërsa të tjerë ndihen të lodhur nga politika.

Referuar raportit, gratë dhe të rinjtë kishin më shumë gjasa të ndiheshin të lodhur nga sasia e lajmeve përreth.

Ndërkohë, besimi në lajme mbetet i qëndrueshëm në 40 për qind, por është ende 4 për qind më i ulët në përgjithësi sesa ishte në kulmin e pandemisë, ka sugjeruar sondazhi.

Në Mbretërinë e Bashkuar, besimi në lajme u rrit paksa këtë vit, në 36 për qind, por mbetet rreth 15 pikë përqindje më i ulët se përpara referendumit të Brexit në vitin 2016.

BBC sakaq ishte marka më e besuar e lajmeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore