Gjykata Speciale

Dëshmitari i 43-të në gjykimin ndaj ish krerëve të UÇK-së pretendon për një vrasje në zonën e Llapit


Dëshmitari i 43-të.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovoës (DhSK) në Hagë, ka nisur dëshminë dëshmitari i 43-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mban kodin ‘W04870’, për të cilin nga ZPS-ja është thënë se dëshmia e tij ka të bëjë me vrasjen e paligjshme të një viktime, e cila pretendohet se është bërë pas arrestimit dhe mbajtjes nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit.

Edhe ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke u marrë në pyetje nga përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në Speciale, dëshminë ka përfunduar dëshmitari i 42-të.

Gjykata Speciale, ka bërë të ditur se edhe gjatë kësaj jave seancat ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë të mbyllura.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar të hënën zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

“Shumica e seancave gjatë kësaj jave do të jenë në seancë private. Natyrisht, prokurorët do të paraqesin përmbledhje të provave të paraqitura në formë të shkruar”, ka thënë Bennett për AP.

Në muajin shkurt pritet të mbahen 7 seanca në Speciale.

Javën e kaluar dëshmuan dy dëshmitarë, shqiptarë të Kosovës: njëri prej tyre dëshmoi për raportet mes UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), kurse tjetri për zhdukjen e një familjari në fshatin Drenoc të Komunës së Prishtinës gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.

Nga mbi 300 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) në total, deri më tash janë dëgjuar 42 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun – ndërsa këtë të hënë pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 43-të në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

Dëshmitarët janë dëgjuar kryesisht në seanca private, përveç dëshmisë së ish-eprorëve të UÇK-së – Rrustem Mustafa dhe Sadik Halitjaha – dëshmisë së Francis Ladëidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës britanike, dëshmisë së ish-zyrtares së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe dëshmisë së Dragica Bozhaniç, viktimë e pretenduar lufte.

Gjithashtu edhe hulumtuesi i lartë në organizatën ndërkombëtare “Human Rights Ëatch (HRË)”, Fred Abrahams, dëshmoi në seancë të hapur për publikun mbi krimet e pretenduara të luftës nga ish-eprorët e UÇK-së, gjë që shkaktoi një valë të reagimeve në lidhje me kredibilitetin e Gjykatës Speciale, i cili pranoi edhe disa gabime në raportin që hartoi gjatë asaj periudhe.

Në ndërkohë u parashtruan edhe disa masa kufizuese për ndryshimin e kushteve të paraburgimit ndaj katër të akuzuarve.

ZPS-ja pretendoi se ish-drejtuesit e UÇK-së kishin shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore