Gjykata Speciale

Dëshmitari i 30-të në Speciale është ish-pjesëtar i UÇK-së


Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Dëshmitari i 30-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ish-pjesëtarë i UÇK-së.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Dëshmia e dëshmitarit të 30-të të ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve sapo ka filluar. Ky është dëshmitar i mbrojtur i cili po dëshmon me pseudonimin W04769”.

“Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari është ish-pjesëtar i UÇK-së, dëshmia e të cilit, ndër të tjera, ka të bëjë me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut”.

Ndërsa lajmin se kjo seancë do të jetë private e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

Gjykata Speciale.

“Dëshmitari rezervë që do të japë dëshmi sot ka masa mbrojtëse. Prokurori Matt Halling do të japë një përmbledhje të shkurtër të dëshmisë, shumica e dëshmive do të jenë në seancë private”, ka thënë ai për AP.

Avokati mbështetës për dëshmitarin e 29-të në rastin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se klienti i tij nuk është duke u ndjerë mirë, prandaj s’është i gatshëm as të dëshmojë, por të shkojë në burg.

“Klienti im është shumë i stresuar, nuk është i gatshëm të japë dëshmi, por i gatshëm të shkojë në burg”, tha avokati mbështetës.

Teksa është pyetur nga Prokuroria e Speciales për një provë, deklaratë të cilën ky organ pretendon se ai e ka dhënë në vitin 2004, ka mohuar që të gjitha.

Duke thënë se, “nënshkrimi që është në fund të deklaratës, nuk është i imi”.

Po ashtu edhe dëshmitari i 29-të ka dëshmuar në seancë private.

Të hënën avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka ngritur një rast që nëse vërtetohet përbën një nga skandalet më të mëdha prejse ka filluar seancat Specialja.

Emmerson, tregoi se në shënimet përgatitore për dëshmitarin e radhës është vërejtur se ai ka tentuar të negociojë me Prokurorinë një pako përfitimi për të, në këmbim të dëshmisë.

Avokati po ashtu tha se vërehet se aty dallohet një zyrtar i prokurorisë teksa i sugjeron dëshmitarit mundësi përfitimi në këmbim të dëshmisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore