Shqipëria

Dervishaj: 3 shkelje të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor


Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj – përmes një konference për shtyp – të hënën e 7 shkurtit ka dhënë detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”, të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

“Një prej shkeljeve të konstatuara nga ana jonë ishte fakti, që në datën 7 maj në vitin 2021 kur u miratua ngritja e Komisionit Hetimor, Kuvendi kishte bërë tre shkelje”, tha ai.

Sipas Dervishajt, rendi i ditës ishte caktuar nga ish-kryetari i Kuvendit në datën 6 maj për në datën 7 maj, pra nëse “do t’i kthehemi ngjarjeve, Kuvendi po thërritej në seancë plenare për një afat më pak se 24 orë.

Ai ka theksuar se në rendin e ditës nuk kishte dy çështje, por kishte një.

“Shkelja e tretë që kemi pretenduar kishte të bënte me faktin se referuar rregullores së Kuvendit nuk kishte kërkesë për shtesa në rendin e ditës”.

Më herët gjatë ditës sotme, Dervishaj deklaroi se do t’i drejtohet Prokurorisë “për manipulimin e shkresave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë”.

Mbajtja e seancave

Për herë të parë në historinë e Gjykatës Kushtetuese u mbajtën tre seanca publike, me praninë e të dyja palëve, atë të Parlamentit dhe Presidencës.

Shtyrja e seancës së fundit, asaj të 3 shkurtit, erdhi me kërkesë të Këshilltarit Ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj.

Ky i fundit kërkoi 48 orë kohë për t’u përgjigjur 70 pyetjeve drejtuar karshi tij. Kjo kërkesë u refuzua nga përfaqësuesja e Parlamentit, Klotilda Bushka.

Deputetja e Partisë Socialiste deklaroi se procesi duhet të vijë dhe kërkesa për shkarkimin e presidentit është serioze.

Pas debateve të forta, trupa me shtatë anëtarë u tërhoq për të marrë vendimin, i cili do të zbardhet i arsyetuar brenda 30 ditëve.

Dy janë argumentet në të cilat mbështeten palët.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe duke shkuar më tej – nxitja e dhunës.

Pala e presidentit nga ana tjetër – thekson se kërkesa për shkarkimin e tij u bë nga Legjislatura e vjetër.

Madje nuk u pranua as gjykimi nga trupa, pasi sipas Presidentit, ato janë palë të përfshira në çështje.

Procesi për të konfirmuar ose hedhur poshtë vendimin e Parlamentit ka një afat kohor.

Nga Gjykata është bërë me dije se ai duhet të merret brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancave gjyqësore – ku pritet që kjo e sotmja të jetë e fundit.

Që vendimi të miratohet, duhen të paktën pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të votojnë pro ose kundër.

Të paktën pesë nga shtatë anëtarët e GJK duhet të votojnë pro ose kundër vendimit.

Pse u kërkua shkarkimi i Metës?

Pas thirrjeve të presidentit Meta, përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij – menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.

Sipas socialistëve, Meta kishte kryer shkelje të rënda kushtetuese, duke bërë thirrje për dhunë parazgjedhore.

Gjithashtu ai ka dalë mbi palët, sipas socialistëve, dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste.

Vetë Meta refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyronte dhe përcaktonte ligji.

Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.

Në të kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Kuvendi i vjetër e dha fjalën më 9 qershor, tashmë Kushtetuesja ka në dorë fatin e Metës: Në Presidencë apo në rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore