Shqipëria

Dervishaj: Do t’i drejtohem Prokurorisë për manipulimin e shkresave nga Kuvendi


Bledar Dervishaj, përfaqësuesi ligjor i presidentit, të hënën e 7 shkurtit, pas përfundimit të seancës për shkarkimin e Metës, ka deklaruar se do t’i drejtohet Prokurorisë “për manipulimin e shkresave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë”.

Dervishaj ka shprehur gjithashtu shqetësimin në lidhje me provat e Kuvendit.

Ai tha se “kur provat manipulohen nga Kuvendi, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me institucionet e tjera?”

Sipas tij, ato u sollën me urgjencë dhe një provë nga Kuvendi ka ardhur të premten.

“Kjo bëhet për të hedhur poshtë pretendimet e presidentit”, tha ai.

Ai theksoi se që prej datës 1 korrik i është referuar një urdhër të Kuvendit, datë 6 maj 2021, dhe “jo siç e përcjell Kuvendi”.

Dervishaj u shpreh se “nuk mund të caktohej data 7 për mbledhjen e Kuvendit, sepse raporti nuk ishte formësuar”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka, u kundërpërgjigj se Presidenca e ngatërron në mënyrë të qëllimshme. Kuvendi nënvizon se nuk është shkelur asnjë ligj apo manipulim.

Mbajtja e seancave

Për herë të parë në historinë e kësaj Gjykate u mbajtën tre seanca publike, me praninë e të dyja palëve, atë të Parlamentit dhe Presidencës.

Shtyrja e seancës së fundit, asaj të 3 shkurtit, erdhi me kërkesë të Këshilltarit Ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj.

Ky i fundit kërkoi 48 orë kohë për t’u përgjigjur 70 pyetjeve drejtuar karshi tij. Kjo kërkesë u refuzua nga përfaqësuesja e Parlamentit, Klotilda Bushka.

Deputetja e Partisë Socialiste deklaroi se procesi duhet të vijë dhe kërkesa për shkarkimin e presidentit është serioze.

Pas debateve të forta, trupa me shtatë anëtarë u tërhoq për të marrë vendimin, i cili do të zbardhet i arsyetuar brenda 30 ditëve.

Dy janë argumentet në të cilat mbështeten palët.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe duke shkuar më tej – nxitja e dhunës.

Pala e presidentit nga ana tjetër – thekson se kërkesa për shkarkimin e tij u bë nga Legjislatura e vjetër.

Madje nuk u pranua as gjykimi nga trupa, pasi sipas Presidentit, ato janë palë të përfshira në çështje.

Procesi për të konfirmuar ose hedhur poshtë vendimin e Parlamentit ka një afat kohor.

Nga Gjykata është bërë me dije se ai duhet të merret brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancave gjyqësore – ku pritet që kjo e sotmja të jetë e fundit.

Që vendimi të miratohet, duhen të paktën pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të votojnë pro ose kundër.

Të paktën pesë nga shtatë anëtarët e GJK duhet të votojnë pro ose kundër vendimit.

Pse u kërkua shkarkimi i Metës?

Pas thirrjeve të presidentit Meta, përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij – menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.

Sipas socialistëve, Meta kishte kryer shkelje të rënda kushtetuese, duke bërë thirrje për dhunë parazgjedhore.

Gjithashtu ai ka dalë mbi palët, sipas socialistëve, dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste.

Vetë Meta refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyronte dhe përcaktonte ligji.

Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.

Në të kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Kuvendi i vjetër e dha fjalën më 9 qershor, tashmë Kushtetuesja ka në dorë fatin e Metës: Në Presidencë apo në rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore