Lajme

Deri vonë diplomatët spanjollë iknin nga dhoma kur shihnin një zyrtar të Kosovës, thotë Joseph


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor e sheh vendimin e fundit të Spanjës për njohjen e vlefshmërisë së pasaportës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza edhe në këtë shtet, si hap i rëndësishëm që të shpie drejt një sërë “mundësish të tjera”.

Konstatimi i profesorit amerikan bazohet mbi faktin se Spanja është ndër pesë shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës dhe se deri në një kohë të shkurtër “diplomatët spanjollë kishin ikur nga dhoma nëse paraqitej një zyrtar i Kosovës”.

“Vendimin spanjoll është një përparim, duke paralajmëruar konvergjencë të mëtejshme në të gjithë NATO-n dhe BE-në për çështjen gjithëpërfshirëse të shtetësisë së Kosovës. Kjo është kritike për stabilitetin rajonal”, ka potencuar ndër të tjera Joseph për mediumi prestigjioz britanik, The Financial Times.

Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet.

Një gjë e tillë u bë e ditur në një dokumenti të publikuar më 5 janar në e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.

Në dokumentin e publikuar thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.

“Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet në dokument.

Që nga 1 janari, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore