Lajme

Deputetja e LVV-së padit Abdixhikun e Ramën: Denigruan personalitetin tim


Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, ka dorëzuar të martën padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në lidhje me disa reagime në rrjete sociale për projektin e rrugës “A” në kryeqytet.

“Ata kanë shfrytëzuar vendimin e Gjykatës Komerciale për të shpifur, fyer dhe denigruar personalitetin tim. Ata kanë nxitur opinionin publik dhe qyetatarët e Prishtinës kundër meje, pa pasur asnjë fakt dhe në mënyrë shumë të padrejtë”, ka thënë deputetja kosovare para mediave në Prishtinë.

Gjithçka ka nisur pas vendimit të Gjykatës Komerciale për t’i ndaluar punimet në rrugën “A” në kryeqytet. Kryetari i Prishtinës e ka konsideruar vendimin e gjykatës të bazuar në interesa politike, duke marrë parasysh se gjyqtarja në rastin në fjalë ka qenë motra e deputetes Pacolli, ndërsa kjo situatë është përcjellur nga reagimet e partitive opozitare në vend.

Rruga “Jim Xhema” apo “A” është vlerësuar ndër projektet më të rëndësishme për kryeqytetin. Ky projekt synon të lidhë lagjet “Kalabria” dhe “Mati” në Prishtinë, duke reduktuar kështu në masë të madhe kolonat dhe kundërmimin e ujërave të zeza. Gjithashtu, vlerësohet si projekt shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore