Lajme

Deputeti i VV-së kundërshton marrëveshjen për burgjet me Danimarkën


Gazmed Gjyshinca

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, ka bërë të ditur se nuk do ta votojë marrëveshjen me Danimarkën për burgjet, ku parashihet që disa të burgosur atje të transferohen në Kosovë për ta vuajtur dënimin këtu.

“Për pikën që po flasim dua ta shpreh shqetësimin tim, i cili do të përkthehet në votë abstenuese”, tha Gjyshinca në fjalën e tij në kuvend ku po diskutohet miratimi i kësaj marrëveshje.

Ai theksoi se shqetësimi i tij ka të bëjë me një refuzim ideologjik e intelektual “që unë e kam përballë nismave të tilla”.

“Ka të bëjë dhe e shoh në perspektivën e prestigjit të shtetit të të drejtës ndërkombëtare të traditës shtetërore që ne e reprezentojmë”.

“Konsideroj se Kosova, pa marrë parasysh se kënd e ka përballë, në radhë të parë e ka interesin e saj, e ka traditën shtetërore, e ka prestigjin e saj, ruajtjen e sovranitetit, ruajtjen e pavarësisë së saj dhe kështu ndërtohet respekti dhe prestigji në arenën ndërkombëtare”.

Pra, deklaroi ai, “për mua intelekutualisht është e papranueshme një marrëveshje e tillë”, edhe pse theksoi se e dinë që kostoja financiare mund të jetë e favorshme për Kosovën, “mirëpo e shoh nga perspektiva neokolonialiste dhe orientaliste, me mëlmesa orientaliste këtë marrëveshje”.

“Prandaj, e kam të pamundur që sot të votoj pro kësaj marrëveshje, për shkak se konsideroj se Kosova nuk duhet e as nuk mundet që të jetë paradhomë për kriminelët e ndryshëm për vepra kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore