Kosova

Deputeti evropian për masat e BE-së ndaj Kosovës: Çmenduri politike


Reinhard Butikofer

Deputeti gjerman në Parlamentin Evropian, Reinhard Butikofer, ka kundërshtuar masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Butikofer përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se “kjo është një çmenduri e plotë politike!”.

“Dhe sigurisht që do të shkonte kundër vullnetit të Parlamentit Evropian, i cili demonstroi vendosmërinë e tij për të vazhduar punën me Kosovën duke pritur sot në Strasburg Presidenten (Vjosa) Osmani”, shkroi ai në Twitter, duke iu referuar fjalimit që e mbajti e para vendit këtë të mërkure.

“Shtetet anëtare duhet ta ndalojnë këtë!”, bëri thirrje ai.

Ndryshe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar këtë të mërkure se Bashkimi Evropian në pajtim me 27 shtete anëtare ka vendosur që të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mos bashkëpunimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Situata dje ka provuar që s’ka de-eskalim, kjo situatë e emergjencave duhet të kalojë. Kurti deri tani ka dështuar të bëjë hapa dhe aksione për de-eskalim. Ai ka propozuar 5 pika por ai nuk adreson elementet kryesore dhe të cilat ne e presim t’i adresojë urgjentisht”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Në bazë të kësaj, ai theksoi se “BE ka përgatitur propozim me masa me efekt të menjëhershëm, këto nuk janë sanksione këto janë masat që merren menjëherë”.

“Shtetet anëtare kanë mbështetur një seri masash. Këto janë konsekuenca politike; ndalje e takimeve të nivelit të lartë dhe gjithashtu masa financiare”, bëri me dije Stano, duke shtuar që “këto masa janë të përkohshme dhe me mundësi largimi, varësisht nga hapat që merr qeveria e Kurtit”.

Ndërkaq, ai theksoi se “BE nuk është e anshme, jemi ndërmjetësues të ndershëm”.

“Duam të ndihmojmë dy palët pavarësisht qasjeve të tyre, ende duam konsensus për të gjetur një zgjidhje evropiane për situatën”, pohoi zëdhënësi i BE-së .

Ekskluzive: Sanksionet mund të fillojnë sot – “nëse s’ka reflektim, Kurti izolohet”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore