Kosova

Deputeti boshnjak letër BE-së dhe ShBA-ve: Të drejta të barabarta për boshnjakët në Serbi siç po kërkojnë serbët në Kosovë


Sulejman Ugljanin

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (SDA) në Sanxhak, Sulejman Ugljanin, përmes një letre drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka kërkuar më shumë të drejta për bosnjakët që jetojnë në Serbi.

Ai në këtë letër ka shprehur dëshirën e tij që në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, boshnjakëve në Serbi t’u garantohen “të drejta të barabarta sipas modelit që kërkohet për serbët në Kosovë”.

Ugljanin ka thënë në letër se si përfaqësues i boshnjakëve në Kuvendin e Serbisë nuk është i kënaqur me pozitën dhe trajtimin e minoritetit boshnjak, njoftoi të martën SDA Sanxhak.

Ai vlerësoi se pasojat me të cilat mund të përballet Serbia për shkak të refuzimit të të ashtuquajturit propozim franko-gjerman për Kosovën do të ishin “të mëdha për boshnjakët” dhe do të çonin në “pasiguri dhe destabilitet”.

Përveç Vuçic-it, letrën ia ka drejtuar edhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndryshe, Shaip Kamberi, Enis Imamoviç, Selma Kuceviç dhe Sulejman Ugljanin, përfaqësues të pakicave etnike në Kuvendin e Serbisë, kanë qëndruar të shtunën për një vizitë në Kosovë ku janë takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar që të ketë reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët kanë shprehur pakënaqësi me statusin e tyre në përgjithësi e posaçërisht në  Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak si dhe në Preshevën, Medvegjë e Bujanoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore