Lajme

Deputetët kërkojnë që mësimi të filloj nga e hëna me klasa të plota


Kuvendi nuk e miraton rezolutën e propozuar nga PDK nga debati parlamentar për arsim.

Me 27 vota për, 50 kundër dhe asnjë abstenim rezoluta nuk ka kaluar.

Në përmbyllje të seancës të thirrur nga grupi parlamentarë i PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka përshëndetur debatin e zhvilluar rreth arsimit në Kosovë dhe ka thënë se kanë pritur gjatë debatit vizionin e Qeverisë veçanërisht për ditët e rënda të pandemisë.

PDK ka propozuar Kuvendit një mocion përmbajtjesor në formë të rezolutës ku Kuvendi obligon Qeverinë të ndajë mjete financiare shtesë mbi pagën bazë të personelit të nivelit të arsimit parauniversitar në shumën prej 100euro për muajin Prill, Maj dhe Qershor, të hartoj programin për zëvendësimin e orëve mësimore duke u bazuar në një plan për mësim intensiv.

Po ashtu, në rezolutën e propozuar është paraparë që pas marrjes së opinionit të IKSHPK-së që mësimi të filloj në shkolla me orare të plotë dhe të rregullt si dhe të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet.

Kjo rezolutë e propozuar nga PDK është bërë në harmoni edhe me grupet parlamentare të LDK-së dhe atë të AAK-së.

Organizimi i arsimit në të gjitha nivelet në Kosovë në situatën e pandemisë, ishte pika e parë e rendit të ditës në punën e kuvendit këtë të enjte, pikë kjo e cila mbeti në gjysmë të diskutimit seancën e 27 majit.

Si thirrës të kësaj seance në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se gjatë pandemisë mësimi online ka dështuar pasi që shumë nxënës nuk kanë qasje në internet e sidomos ata të komuniteteve pakicë.

“Pra kalimi i mësimit nga mësimi tradicional në atë elektronik për shumë nxënës, mësues e prindër e komunitete ka qenë jo vetëm i vështirë por edhe i pa realizueshëm”, ka thënë ajo.

Blerta Deliu-Kodra-Deputete nga PDK

Ajo ka thënë gjithashtu se gjendja është e rëndë në arsim dhe i vetmi vendim që është marr nga ana e Qeverisë është ai i organizimit të mësimit plotësues. “Si mund të kërkohet një organizim plotësues për nxënësit e drejtimeve profesionale të shkollave të mesme”, ka pyetur ndër të tjera deputetja Deliu-Kodra.

“Ju duhet ta ofroni një planë konkret dhe planë kombëtarë zonja ministre”, shtoi deputetja.

Tutje ajo ka shtuar se deri më tani nuk ka asnjë përpjekje fillestare për digjitalizimin e teksteve mësimore.

Ardian Gola nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se debati për arsimin është shumë i rëndësishëm, por sipas një raporti të Bankës Botërore humbjet në arsim janë të pakompezueshme “por që duhet të angazhohemi si Qeveri që t’i eliminojmë streset, ankthet dhe depresionin”.

Ai tutje ka shpalosur një hulumtim të Universitetit të Prishtinës lidhur me shkaktimin e depresionit tek studentët.

“Qeveria duhet të angazhohet në zgjidhjen e problemeve reale ku arsimi lëngon rëndë në Kosovë. Të angazhohet për departizimin e sistemit arsimor, instalimin e meritokracisë, luftimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, çrrënjosjen e improvizimit e kështu me radhë”, ka thënë Gola.

Ardian Gola, Deputet nga LVV

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj në fjalën e tij ka thënë se mungesa e kryeministrit në këtë debat tregon angazhimin e Qeverisë në çështjen e arsimit.

Ai ka shtuar se “askush nuk e ka ditur që mësimi në distancë nuk mund ta zëvendësoj mësimin me prani fizike”. Se çka ka ndodh deri më tani ai ka thënë se “qeveria Kurti me 12 mars të vitit 2020 i ka mbyll shkollat pa plan duke improvizuar”.

“Kur nuk ki plan, nuk ke qartësi, nuk ke kontroll mbi situatën, nuk ke kontroll mbi ecurinë, natyrisht që dëmtohet cilësia”, ka deklaruar ai.

Enver Hoxhaj- Ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së

“Ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i pandemisë dhe fillimi i mësimit në distancë, por Kosova ende nuk e ka një platformë të standardizuar për të. A do ta ketë një të tillë, si dhe kur?… Si do të menaxhohet testi i arritshmërisë dhe maturës shtetërore në këto rrethana? Cili është plani? Të gjitha këto që i ngrita, flasin për atë që të kemi një plan të qartë dhe një politikë të re arsimore në pandemi. Me këtë ritëm të sjelljes së vaksinave, do të kemi një trend afrikan të hapjes, tek në vitin 2024”, ka shtuar Hoxhaj.

Ish Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se mësimi online nuk e ka kompenzuar mësimin në shkollë.

Ajo ka thënë po ashtu se gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit janë realizuar video-ligjerata për mësimin online.

Bajrami ka numëruar të gjitha aktivitet e Ministrisë së Arsimit për kompensimin e mësimit në kohën e pandemisë, duke kërkuar që “nga e hënë të filloj mësimi në shkolla, meqë numrat kanë rënë”.

Hykmete Bajrami- ish Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Shemsi Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Qeveria duhet të kthej shpresën në arsim.

“Kthejeni shpresën në arsim, kthejeni shpresën në shëndetësi. Kjo është emergjente, bëjeni këtë me vepra e jo vetëm me fjalë”, ka deklaruar ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në fjalën e saj ka thënë se prej mbi dy dekada ka pasur ndërhyrje brutale të subjekteve politike në të gjitha nivelet e arsimit.

Ministrja Nagavci e tha këtë si replikë ndaj deputetëve të subjekteve opozitare të cilët kritikuan qeverinë për gjendjen në arsim në kohën e pandemisë.

“Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në përgjithësi. Ju lus që të reflektoni për ndikimet që keni pasur në të kaluarën dhe të angazhohemi bashkë për të përmirësuar bashkë këto”, është shprehur Nagavci.

Arbërie Nagavc-Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,

Ministrja Nagavci është shprehur se pandemia ka sjellë ndikime afatshkurta dhe afatgjata në fushën e arsimit përfshi edhe mësimdhënësit dhe nxënësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore