Lajme

Dëmet nga tërmeti në Turqi shkojnë në 104 miliardë dollarë, sipas Erdogan


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë me dije se vlerësimi i tanishëm, sa i takon dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi, shkon në 104 miliardë dollarë.

Kështu bëri me dije ai, çaste përpara mbledhjes së Konferencës së Donatorëve të Bashkimit Evropian, e cila pritet të grumbullojë edhe ndihma të konsiderueshme për Turqinë dhe Sirinë.

Një vend, pavarësisht se kush ai është, nuk mundet sipas Erdogan të përballet me të tilla fatkeqësi natyre i vetëm.

Ndaj, rreth solidaritetit të gjithë miqve të Turqisë, ai shprehu mirënjohje të madhe.

“Do të rindërtojmë dhe ringjallim të gjitha qytetet tona me infrastrukturë, superstrukturë, biznese, vlera historike dhe kulturore”, bëri me dije ai, duke theksuar se sfida, është ajo që brenda një viti, të ndërtohen mjaftueshëm banesa, për të plotësuar nevojat e rajonit të goditur nga tërmeti.

Vetëm në vitin e parë, ai parashikon të dorëzoje 319 mijë çelësa shtëpish të reja, në duart e të prekurve.

Ndërsa, një lehtësim do të shkojë edhe për Sirinë, duke qenë se rrugët kryesore të dërgimit të ndihmave atje, kalojnë pikërisht përmes territorit turk.

Pse tërmeti ishte kaq vdekjeprurës?

Më shumë se 160 mijë ndërtesa që përmbanin 520 mijë apartamente u shembën ose u dëmtuan rëndë më 6 shkurt.

Qeveria thotë se qindra njerëz janë nën hetim dhe gati 200 njerëz – duke përfshirë kontraktorët e ndërtimit dhe pronarët e pronave – janë arrestuar tashmë.

Ekspertët kishin paralajmëruar për vite se korrupsioni endemik dhe politikat e qeverisë nënkuptonin se shumë ndërtesa të reja ishin të pasigurta.

Në Adiyaman, Erdogan u zotua të ndërtojë më shumë se 500 mijë shtëpi të reja së bashku me infrastrukturën, qendrat mjekësore dhe parqet.

Turqia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare deri në qershor. Erdogan po kërkon një mandat tjetër si president pas 20 vitesh në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore