Sport

Dembele pritet të qëndrojë në Barcelonë


Ousmane Dembele ka qenë një prej futbollistëve më të përfolur te Barcelona dhe jo vetëm.

Sulmuesi francez kishte refuzuar vazhdimisht të rinovonte kontratën e cila i mbaron në verë me klubin katalanas, pas shumë ofertave nga ana e tyre.

Në këtë situatë, Dembele qëndroi në bankën rezervë, i cili ishte shumë afër largimit nga “Cam Nou” në afatin kalimtar të janarit.

Por, me ardhjen e trajnerit, Xavi Hernandez, gjërat ndryshuan për të mirë, me Dembele-n që ka rilindur, i cili po kalon në formë shumë të mirë.

Lajmet e fundit që qarkulluan, raportuan se agjenti i futbollistit dhe drejtuesit e klubit të Barcelonës pritet të takohen për të finalizuar rinovimin e kontratës që mbaron në korrik.

Por, qëndrimin në klub po e kërkojnë edhe shokët e tij të skuadrës, ku i fundit që doli në skenë është Pierre-Emerick Aubameyang.

Ky i fundit, në një postim në profilin e tij në Instagram, i ka kërkuar Dembele-s që të qëndrojë në Barcelonë.

“Ousmane duhet të qëndrojë këtu në Barcelonë”, është shprehur Aubameyang.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Dembele-s, i cili e ka pëlqyer postimin dhe ka komentuar me “emoji”.

Pra, nga kjo mund të kuptohet, se qëndrimi i Dembele-s karshi klubit të tij, tashmë ka ndryshuar shumë për të mirë.

Kujtojmë që francezi ka qenë një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit spanjoll.

Ai u transferua nga Borussia e Dortmund-it për shumën e 140 milionë eurove në verën e vitit 2017.

Mirëpo, dëmtimet e shumta lëkundën karrierën e 24 vjeçarit, i cili më shumë qëndroi i lënduar, sesa kontribuoi me fanellën blaugrana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore