Kosova

“Demagog e mashtrues”, Hoti, Kurtit: E pranove Asociacionin për të qëndruar në pushtet


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Me protesta të dhunshme kundër ‘Zajednicës’ ia humbën Kosovës 10 vite pa viza e pa progres në integrim euro-atlantik”.

Kështu e ka filluar postimin e tij në Facebook, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pasi që kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar draftin e propozuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar ashpër Asociacionin – të cilin e kishte emërtuar si “Zajednicë” – duke organizuar protesta masive, madje kishin hedhur edhe gaz lotsjellës në kuvend.

“Kërkuan vota në zgjedhjet e fundit, dhe i morën ato, për të mos bërë kurrfarë ‘Zajednice’, ‘as asi, as ksi’”, shkroi Hoti, dhe ironizoi në fund me një fjali të Kryetarit të Kuvendit, njëherit numrit dy të VV-së, Glauk Konjufca, që e kishte thënë për çështjen e Asociacionit.

Kurtit i kërkohet Asociacioni, deputeti i tij del para gjykatës për protestë  kundër “Zajednicës” - Insajderi
Një nga organizimet e kryeministrit Albin Kurti, kundër Asociacionit.

“Sapo e morën pushtetin, në foltore të Kuvendit u betuan ‘Zajednica’ nuk bëhet, sepse Kosova ka kryeministër tjetër”.

Mandej, pohon Hoti, “u zbutën pak, i vendosën disa kushte për ‘Zajednicë’, të cilat i harruan plotësisht”.

“Nuk e bën ‘Zajednicën’ kur aleatët u kërkonin ta bënin sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, ku kjo e fundit e thotë qartë se asociacioni bëhet kur Gjykata Kushtetuese thotë se ‘statuti i asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës’”, shtoi.

Por, sipas Hoti, arsyeja se pse po e bëjnë tani këtë mekanizëm, “që u vihet në tavolinë me stilin merre ose lëre”, është, siç thotë ai, “për të mbetur në pushtet”.

“Tani i kthehen marrëveshjes së vitit 2015, ku kërkohet opinioni i Gjykatës Kushtetuese”.

Të gjitha këto veprime, në vlerësimin e ish-kryeministrit, “nuk janë shtetërore”, por janë veprime “të politikanëve demagogë e mashtrues, që bëjnë gjithçka për të mbijetuar politikisht e për të mbajtur pushtetin”.

Sipas tij, gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse do të kishim “një marrëveshje tjetër për ‘Zajednicën’, e cila do të ishte më e favorshme për Kosovën”.

“Por jo, këta e kanë pranuar Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshinë edhe ‘Zajednicën’ edhe autonominë”, theksoi ai, duke iu referuar nenit 7 të Marrëveshjes Bazë.

Tutje, Hoti mendon se kjo shtyrje do të kuptohej nëse Marrëveshja e Ohrit [18 mars] do të përfshinte njohjen reciproke.

“Por jo, këta e pranuan Marrëveshjen e Ohrit, e cila thekson qartë: ‘…  pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit’”, përfundoi.

Të enjten e 26 tetorit në Bruksel Kosova e ka pranuar draftin e propozuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe përmes një deklarate pas takimit është shprehur e gatshme edhe që ta nënshkruajë pranimin e draftit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një deklarim para gazetarëve ka thënë se edhe Serbia është pro atij drafti të propozuar nga pesëshja e top-diplomatëve që vizituan Prishtinën dhe Beogradin me 21 tetor.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, konstatohet se Kurti ka deklaruar që “pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

Neni 7 i Marrëveshjes Bazike të pranuar me 27 shkurt thotë se Kosova dhe Serbia “pajtohen që të sigurojnë një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë… përfshirë edhe financim nga Serbia dhe kanal direkt komunikimi me Qeverinë e Kosovës”.

Kurse neni 10 i Marrëveshjes thotë se “të dyja palët konfirmojnë zbatimin e obligimeve nga Marrëveshjet e kaluara të dialogut”, që nënkupton zbatimin edhe të Marrëveshjes së vitit 2013 ku shpaloset për herë të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa Vuçiç u kumtoi gazetarëve pas takimit se për statutin e Asociacionit të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare me 21 tetor “Serbia është e gatshme të punojë në të dhe të fillojë menjëherë zbatimin e tij”.

Përkundër se drafti i statutit nuk është bërë akoma publik zyrtarisht, 26 tetori shënon herën e parë që Kosova dhe Serbia janë në pajtim për të njëjtin draft për Asociacionin.

Pas takimit pati një adresim edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili njoftoi se palëve iu prezantua “një model serioz evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” dhe një plan për avancimin përpara.

Palët, siç tha Borrell, kanë pasur parakushte për planin përpara, “por ne do të insistojmë në një pajtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore