Kosova

Deklarohet Molliqaj për incidentin e “shuplakës” – “Përgjegjësia më takon mua – Nuk ishte goditje, por shtyerje”


Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, është deklaruar rreth incidentit që ngjau në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës, ku përmes pamjeve në video, shihej të jetë konfrontuar fizikisht me një zyrtar policor.

Molliqaj shkroi se “përgjegjësia mbi incidentin më takon mua”.

“Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal”, shkroi Dardan Molliqaj.

Por, kreu i PSD-së tha sed se duhet të bëhet një sqarim për rastin në fjalë, ngase “është e nevojshme” të shihet piktura më e përgjithshme e rastit.

“Ne ishim në përpjekje e sipër që t’i lirojmë shkallët ku planifikonim t’i mbanim fjalimet. Në ato momente, dy komandantët e operacionit më kanë ftuar që të diskutojmë, por në të njëjtën kohë policët tjerë më kanë shtyer, tërhequr zvarrë, sharë e ofenduar. Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyer njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyerje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim”, tha ai.

Molliqaj tha se PSD nuk e ka dhunën as mjet dhe as qëllim, dhe se karakterizimi i protestës së dielës si e tillë është paralajmërim.

“Propaganda që po synon ta kriminalizojë një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar flet mjaft për tendencat e pushtetit. Trajtimi selektiv i protestuesve po ashtu. Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët”.

“Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim. Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit”, përfundoi Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore