Sport

De Zerbi: Një ditë do të kthehem në Itali


Trajneri italian, Roberto De Zerbi, që po bën një punë të shkëlqyer në Angli te skuadra e Brighton, ka thënë se një ditë do të rikthehet përsëri në Serie A, aty ku drejtoi skuadra të ndryshme, mes të cilave edhe Sassuolo-n për gati tre vjet.

Trajneri 43-vjeçar italian mori drejtimin e Brighton në shtator të vitit të kaluar pasi Graham Potter u largua për te Chelsea.

Që nga ardhja e tij, De Zerbi ka arritur ta aplikojë një futboll të fortë, duke e udhëhequr skuadrën drejt fitoreve të paharrueshme ndaj Liverpool-it dhe Chelsea-t, dhe së fundi eliminoi edhe Liverpool-in në FA Cup.

Duke folur për DAZN, De Zerbi fillimisht theksoi për atë se si ndihej të bënte punën e tij në Premier League.

“Italia është gjithmonë vendi dhe shtëpia ime. Do të kthehesha dhe do të kthehem, shpresoj në të ardhmen. Por kam ardhur edhe këtu me pak frikë, me një gjuhë tjetër, me një ligë tjetër, pa e kryer kampin stërvitor dhe me një orar shumë të vështirë”, tha trajneri italian.

“Në vend të kësaj, po kaloj shumë mirë, po e shijoj këtë përvojë, po e shijoj vërtet”, shtoi De Zerbi.

Trajneri 43-vjeçar gjithashtu komentoi edhe frikën që kishte për t’u përshtatur në ligën e futbollit anglez.

“Të vish këtu për një italian nuk është e lehtë sepse futbolli përjetohet ndryshe, ose përshtatesh ose humb në fillim. Dhe ata nuk e përjetojnë domosdoshmërisht futbollin në atë mënyrë”, shtoi De Zerbi.

“Për shembull, ata kanë një ditë pushimi gjatë javës, për ta është e shenjtë, ne e shohim si një ditë të humbur. Ata nuk e bëjnë tërheqjen, mbërrijnë tre orë më herët në kamp”.

“Ndjehet si të shkosh në një piknik, atëherë kur gjyqtari i bie bilbilit, gjithmonë ndihet sikur luan një finale”, theksoi De Zerbi.

Mes tjerash, kur u pyet për fuqinë ekonomike të klubeve të Premier League, De Zerbi tha: “Liga angleze është më e pasur, vetëm shikoni sa është shpenzuar këtu këtë janar dhe sa në Itali”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore