Lajme

David Smith, spiuni i demaskuar anglez rrezikon 14 vjet burg


Ndoshta ai ndihej paksa si James Bond në “The Spy Who Loved Me”, por ata ishin Roger Moore dhe Barbara Bach.

Fakti është se 58-vjeçari David Smith, oficeri i sigurisë në ambasadën britanike në Berlin u kap duke kaluar sekrete në Kremlin.

Ai u demaskua falë të zakonshmes “Irina”, një spiune e rreme ruse që e magjepsi me pamjen e saj.

“Irina” ishte një agjente e kundërzbulimit britanik që iu afrua Smith-it në rrugë, në një stacion tramvaji në Potsdam.

“Më falni, a dini anglisht?”, e pyeti, para se të shtonte në rusisht “Shkëlqyeshëm!”.

“Irina” e rreme, me një udhërrëfyes në dorë, nisi t’i kërkonte udhëzime dhe më pas i pëshpëriti: “Unë jam një agjente e inteligjencës ushtarake ruse, je ti ai që po kërkoja”.

Smith-i ra në kurthin e ngritur kur ajo i kërkoi informacione konfidenciale, ai pranoi ta takonte të nesërmen dhe kështu u arrestua në flagrancë.

Por operacioni i fshehtë për ta zënë atë në kurth ishte ngritur pasi britanikët kishin përgjuar një letër prej tij drejtuar një gjenerali rus të vendosur në misionin diplomatik të Moskës në Berlin.

Ishte një letër që sugjeronte ekzistencën e kontakteve të vazhdueshme.

Që nga viti 2018, Smith – një ish-oficer i aviacionit ushtarak – kishte filluar të mblidhte informacione të ndjeshme dhe t’ua kalonte ato rusëve në këmbim të parave, duke përfshirë detaje mbi identitetin dhe aktivitetet e agjentëve sekretë britanikë.

Ndër materialet që ai kishte arritur të vinte në duart e tij ishte edhe një letër tepër sekrete drejtuar Boris Johnson-it, asokohe kryeministër, nga ministrja e atëhershme e Tregtisë Liz Truss.

Në këmbim të tradhtisë, oficeri i sigurimit kishte marrë pagesa të konsiderueshme në para nga rusët.

Në banesën e tij u gjetën tetë kartëmonedha 100 euro, origjina e të cilave nuk u shpjegua dhe gjithashtu u konstatua se ai nuk ka kryer asnjëherë tërheqje parash nga banka, gjë që mund të shpjegohet vetëm me praninë e burimeve të tjera të të ardhurave.

Gjyqi i Smith-it ka përfunduar së fundmi në Londër dhe ai tani rrezikon një dënim me 14 vjet burg.

Mirëpo, kur do të mësojnë këta 007-a të mos i besojnë “Irina”-s magjepsëse, reale apo të supozuar?

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore