Shqipëria

DASH-i zgjedh të mos komentojë arrestimin e Fredi Belerit dhe krizën diplomatike Shqipëri-Greqi


Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka zgjedhur të mos komentojë të hënën e 11 shtatorit krisjen në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili gjendet në burg prej tre muajsh.

I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp, Matthew Miller, zëdhënësi i DASH-it nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Pyetja: “Pyetja ime ka të bëjë me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, një tjetër aleat tuajin. Marrëdhëniet janë në krizë të thellë kohët e fundit sepse kryeministri i Shqipërisë, nuk e di nëse e dini, ka urdhëruar arrestimin e një kryebashkiaku grek. Ai është kryetar i zgjedhur. Ai është ende në burg pas tre muajsh. Pyetja ime është: a e dini për arrestimin? Dhe nëse e dini, a keni ndërhyrë tek qeveria shqiptare për lirimin e këtij kryebashkiaku të zgjedhur?”

Miller: “Më lejoni ta kthej mbrapsht këtë.”

Kujtojmë që, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) caktoi datën 14 shtator për mbajtjen e seancës së parë ndaj Belerit, i cili ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por që i janë refuzuar.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkon nga ana tjetër gjykimin e Belerit për korrupsion zgjedhor.

Nga avokatët e tij është bërë me dije se Beleri pritet të jetë i pranishëm në seancën paraprake.

Ndërkaq, avokati vizitoi të premten Dhomën e Avokatëve të Athinës.

Eugen Gjyzari u prit në zyrat e Shoqatës nga kryetari i seancës plenare të kryetarëve të Dhomës së Avokatëve të Greqisë, Dimitris Vervessos.

Ky i fundit, i shprehu “solidaritetin e avokatëve me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës”.

Ai tha se një delegacion nga seanca plenare do të marrë pjesë në diskutimin vijues të kërkesës për lirim. Gjykata e Tiranës i ka rrëzuar të gjitha këto kërkesa.

Një deklaratë e Dhomës së Avokatëve të Athinës, tha se avokatët grekë u informuan në detaje për vazhdimin e ndalimit.

Fredi Beleri u ndalua nga autoritetet shqiptare me dyshimin për mashtrim votash, të cilin ai e ka mohuar.

Ndërkaq ai ka paraqitur në Gjykatën e Lartë dy rekurse të reja.

Në to kërkohet vlerësimi si i paligjshëm i arrestimit të tij dhe shpallja e paligjshme e përgjimeve që Prokuroria ka kryer ndaj Belerit.

Mbi pikën e parë, Beleri e ka kthyer tashmë në kauzën më të madhe pas zgjedhjes si kryebashkiak, mbajtjen në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila argumenton se ka prova që Beleri ka ushtruar aktin e paligjshëm të shitblerjes së votës.

Kjo gjë është mohuar kategorikisht nga ai.

Ndërsa, arrestimi, erdhi pas përgjimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme dhe për këto, Beleri pretendon se janë të jashtëligjshme.

Më herët, Beleri, përmes një publikimi në median sociale Facebook, deklaroi se “nuk ka vendim gjykate, që ta ndalojë betimin tim në krye të Bashkisë Himarë”.

Përmes postimit, ai ka thënë se nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij për leje të veçantë për të bërë betimin.

Me këtë reagim, Beleri i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke e etiketuar atë edhe në citimin fillestar të publikimit, të cilin e titullon “Kush (kë) po dizinformon z. Rama?”.

Mirëpo, nga ana tjetër, kreu i Qeverisë shqiptare e ka bërë të qartë se çështja Beleri nuk është politike, sakaq krejtësisht ligjore dhe në duart e drejtësisë.

Ndaj, ai nuk ka ndërhyrë asnjë sekondë për të interferuar me punën e organeve të drejtësisë.

Teksa, së fundmi, pjesë e çështjes Beleri janë bërë edhe Partitë Popullore Evropiane, të cilat kanë kërkuar lirimin e Belerit, pasi mbahet “padrejtësisht në paraburgim”.

Njëjtë e ka qëndrimin edhe shteti grek, ku prej kësaj ngjarjeje, ka pasur edhe tensione të larta diplomatike, të cilat kulmuan me mungesën e ftesës për kryeministrin Rama në një takim informal të zhvilluar në Athinë me liderët e rajonit, nga homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore