Sport

Dani Alves lirohet me kusht pasi ka dorëzuar 1 milion euro


Ines Guardiola - Dani Alves

Reprezentuesi brazilian, Dani Alves është liruar me kusht pasi ka paguar 1 milion euro.

Ish-lojtari i Barcelona-s u la i lirë pasi u lejua të vazhdonte gjyqin në liri, pavarësisht se ishte dënuar në shkallë të parë (4.5 vjet).

Mospërmbushja e dënimit me burg prej katër vitesh e gjysmë dhe 14 muajt që i kaloi në paraburgim, bënë që gjykata t’i jepte lirinë me një garanci prej 1 milion eurosh dhe disa masa të tjera.

Dani Alves doli nga një burg afër Barcelonës të hënën pasi pagoi garancinë prej 1 milion eurosh të vendosur nga një gjykatë për të siguruar lirimin e tij në pritje të rezultatit të një apeli.

Alves ishte në burg që nga arrestimi i tij në janar 2023 me dyshimin për përdhunimin e një gruaje të re në banjën VIP të një klubi nate në Barcelonë në orët e para të 31 dhjetorit 2022.

Ky dyshim u vërtetua nga aktgjykimi i shkallës së parë, i cili aktualisht po apelohet nga ish-reprezentuesi brazilian, i cili shprehet i pafajshëm.

I veshur me xhinse dhe një xhaketë të zezë, Alves u largua nga burgu Brians 2 në San Esteban Sasroviras, afër Barcelonës, me avokaten e tij Ines Guardiola, e cila paraqiti ankesën.

Përveç pagesës pak më shumë se 1 milion euro, 40-vjeçari nga Bahia duhej të hiqte dorë nga pasaporta braziliane dhe spanjolle, të qëndronte në Spanjë dhe të paraqitej në gjykatë çdo javë dhe iu ndalua çdo kontakt me viktimën.

Avokatët e Alves po kërkojnë lirimin e tij dhe procesi i apelit mund të zgjasë me muaj. Prokuroria kërkon gjithashtu që dënimi i tij të dyfishohet në nëntë vjet.

Akuzuesja dhe avokatja e saj, Ester Garci, kanë apeluar vendimin për lirimin me kusht të Alves.

“Kjo dërgon mesazhin se kjo është drejtësi për të pasurit. Është një mesazh shumë i rrezikshëm për shoqërinë”, tha avokatja javën e kaluar.

Ajo shtoi se klientja e saj ishte “plotësisht e indinjuar, shumë e dekurajuar dhe shumë e frustruar”.

Gjatë gjyqit, viktima, e cila dëshmoi prapa një ekrani për të mbrojtur identitetin e saj, tha se Alves e përdhunoi me forcë atë pavarësisht lutjeve të saj për ta lënë të ikte, duke i shkaktuar ” frikë dhe tmerr”.

Avokatët e Alves argumentuan se viktima ishte “lidhur” me lojtarin ndërsa ata po kërcenin në klubin e natës dhe se mes tyre kishte “tension seksual”. Në vendimin prej 61 faqesh, gjykata tha se kjo nuk do të thotë “se ajo pranoi çdo gjë që mund të kishte ndodhur më pas”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore