Sport

Dani Alves do të apelojë dënimin me 4.5 vite burg për përdhunim


Dani Alves

Ish-ylli i Barcelona-s, Dani Alves po planifikon të apelojë dënimin me katër vjet e gjysmë burg, të cilit iu dha këtë mëngjes.

Mbrojtësi brazilian, 40 vjeç, u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje në tualetet e klubit të natës, “Sutton”, në Barcelonë më 30 dhjetor 2022.

Ai u urdhërua t’i paguante viktimës 150,000 euro dhe të qëndronte larg saj për nëntë vjet e gjysmë.

“Dënimi vlerëson se është provuar se viktima nuk ka dhënë pëlqimin dhe se ka prova, përveç dëshmisë së paditësit, për të cilësuar dhunimin të provuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Duke folur jashtë gjykatës, avokatja e Alves, Ines Guardiola tha se ata po planifikonin të apelonin dënimin.

Ajo u tha gazetarëve: “Katër vjet e gjysmë janë shumë më mirë se nëntë dhe 12 që kërkoi akuza, por ne do të apelojmë sepse unë ende besoj në pafajësinë e zotit Alves. Ne do të rishikojmë dënimin por mund t’ju them se ne do të apelojmë”.

“Ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e zotit Alves. Ai tashmë e di dënimin. Ne do ta mbrojmë pafajësinë e tij deri në fund”, shtoi avokatja e ish-futbollistit.

Prokurorët e shtetit po kërkonin nëntë vjet ndërsa avokatët që përfaqësonin akuzuesin e Alves kërkonin 12 vjet. Pas dënimit, Alves u kthye në burgun Brians 2 pranë kryeqytetit katalanas.

Në një gjyq të zhvilluar në Barcelonë në fillim të këtij muaji, futbollisti mohoi akuzat dhe tha se takimi kishte qenë konsensual.

Gjyqi, i mbajtur në Gjykatën Provinciale Audiencia të Barcelonës zgjati tre ditë me viktimën e supozuar, dëshmitarët dhe ekspertët që dëshmuan.

Mbrojtësi brazilian u akuzua për përdhunimin e një gruaje në një klub nate të Barcelonës më 30 dhjetor 2022.

Ai ka konfirmuar më parë se kishte bërë seks me një grua në tualetin e klubit të natës, por këmbënguli se ishte konsensuale.

Alves është mbajtur në paraburgim që nga arrestimi i tij në janar 2023.

Në një deklaratë të shkurtër, gjykata e Barcelonës tha të mërkurën se kishte “thirrur të gjitha palët në çështjen Alves, përfshirë të pandehurin, për t’u paraqitur në gjykatë për një të ashtuquajtur ‘procedurë njoftimi’”.

Kallëzuesi i tij i tha prokurorisë se ajo kishte hyrë me dëshirë në tualet me të, por ai e detyroi të qëndronte pasi ajo donte të largohej.

Ajo pretendon se ai ka qenë agresiv me të, duke e goditur me shuplakë dhe duke e ofenduar, e më pas e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me të.

Gjatë ditës së parë të gjyqit të futbollistit, një shok dhe kushëri i akuzueses së tij pohoi se ai e ka prekur edhe në zonën e VIP-ave.

Ish-gruaja e Alves, Joana Sanz i tha gjykatës se braziliani “kishte erë alkooli” dhe “ai u përplas me disa mobilje dhe u rrëzua në shtrat” pasi arriti në shtëpi natën e sulmit. Por ajo tha se nuk donte të fliste me atë për shkak të “gjendjes në të cilën ndodhej”.

Alves ka bërë kërkesa të përsëritura për lirim me kusht, por të gjitha ato janë refuzuar, me gjyqtarët që thanë se versioni i ngjarjeve të viktimës së tij të supozuar ishte koherent dhe duke theksuar se Alves e kishte ndryshuar historinë e tij disa herë pasi nga autoritetet kanë dalë provat kundër tij.

Në një intervistë ekskluzive nga qelia e tij në Burgun Brians 2 pranë Barcelonës qershorin e kaluar me një TV spanjoll ai pohoi: “I vetmi person që duhet të kërkoj falje është gruaja ime, Joana Sanz”.

Përveç dy periudhave te Barcelona, Alves ka luajtur në Evropë me klube si Sevilla, Juventus dhe PSG.

Ai konsiderohet gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe u bë lojtari më i vjetër që përfaqësoi Brazilin në Kupën e Botës në dhjetor 2022 në Katar.

Dani Alves dënohet me 4 vjet e 6 muaj burg pas akuzave për përdhunim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore