Lajme

“Dallimet e vogla” që u vërejtën shumë në konferencën e përbashkët Osmani-Pahor


Konferenca e perbashket Pahor Osmani ne Prishtine

Pacta sunt servanda” tha Borut Pahor. “Kushtetuta e Kosovës”, ia kthej Vjosa Osmani.

Të dy e kishin fjalë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, i cili, sipas presidentit slloven, duhet të themelohet mbi principin fondamental të ligjit se “marrëveshjet duhet të mbahen”, por presidentja e Kosovës tha se ajo marrëveshje s’mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës e kjo kushtetutë e nxjerr në 23 vende jashtë frymës së saj.

Ky ishte dallimi që la gjurmë më shumë në konferencën e përbashkët për media, mbajtur në Prishtinë, ku Pahor erdhi në kuadër të organizimit të Samitit të Bërdo Brijon-it që do mbahet në Slloveni.

Pahor nuk hezitoi ta thotë se mes tij e Osmanit “ka edhe dallime dhe një prej tyre është nevoja e implementimit të marrëveshjeve të arriturave në Bruksel, si ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Osmani në përgjigjen e saj e pranoi dallimin dhe e argumentojë atë, por jo para se të thotë disa fjalë për qasjen e “miqve ndërkombëtarë” që sipas saj flasin më shumë për këtë të vetme marrëveshje që s’po e zbaton Kosova, e heshtin po aq shumë për marrëveshjet që s’i zbaton Serbia.

Borut Pahor.

“Do të doja të dëgjoja më shpesh nga partnerët dhe aleatët tanë në Bashkimin Evropian listën e gjatë të marrëveshjeve të cilat nuk i ka zbatuar Serbia”, tha Osmani, duke shtuar se është “aq e gjatë, prandaj edhe unë nuk do t’iu marr juve kohë t’i numëroj të gjitha, sepse do të mbesim deri vonë”.

Megjithatë, të njëra u ndal. “Dua ta përmend një në veçanti”, tha, “sepse lidhet edhe me vetë vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian; ai është sundimi i ligjit”.

“Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale kriminale që i ka ndërtuar në Kosovë. Ajo, jo vetëm që nuk e ka bërë këtë. Jo vetëm që nuk i ka zhbërë strukturat ilegale, udhëheqësit e të cilave sot janë në listën e zezë të SHBA-ve. Por, përkundrazi, vazhdon t’i fuqizojë ato, vazhdon t’i financojë ato, vazhdon t’i urdhërojë ato që ta destabilizojnë Kosovën dhe tërë rajonin”.

Për të tilla marrëveshje të pa realizuar Osmani dëshiron të flasin më shumë në BE.

Sepse, “sa për obligimet që ka marrë Kosova, nga të gjitha kemi zbatuar 99 për qind, vetëm 1 nuk e kemi zbatuar, që është Asociacioni”.

“Por, arsyeja është shumë fondamentale, ajo marrëveshje bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sepse gjykata ka gjetur 23 shkelje të kushtetues sonë në atë marrëveshje dhe marrëveshjet të tilla nuk janë asnjëherë mbi kushtetutën”.

Borut Pahor dhe Vjosa Osmani.

“Ajo çfarë mund të them është se ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës. Nuk mund të krijojmë organe mono etnike, kur kushtetuta bazamenti jonë është krijuar mbi multietnicitet. S’mund të shtyjmë përpara zgjidhje të shekullit të kaluar”.

Se a ka Kosova ndonjë alternativë, meqë Asociacionin s’e zbaton dot, Osmani ishte e prerë edhe këtu. “Alternativa është Kushtetua e Kosovës”, pohoi ajo.

Përgjigja për Listën Serbe

Një paralajmërim i Osmanit për ta vizituar Veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë, zgjoi reagimin e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë. Ata thanë se ajo s’është presidentja e tyre, rrjedhimisht s’është e mirëpritur në Veri.

Por, Osmanit aq i bën për këto deklarata. Për të, Lista Serbe s’përfaqëson serbët, por kriminelët që trazojnë atë pjesë.

“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë. Lista Serbe për fat të keq është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale, të cilat siç e thash janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”.

Ilustrim: Lista Serbe dhe Vjosa Osmani

E pse duhet të shkojë ajo në Veri, Osmani pohon se përtej dëshirës këtë ia obligon pozicioni.

“Unë jo vetëm që jam presidente e Republikës së Kosovës e të gjithë qytetarëve pa dallim, përfshi të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, por jam edhe komandante supreme e ushtrisë së këtij vendi”, thotë ajo.

Ushtri kjo, “e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, ka edhe serbë, ka edhe turq edhe të komuniteteve të tjera”.

“Por, çfarë po ndodhë këto ditë për fat të keq është që qytetarët serbë në Kosovë po kërcënohen, po intimidohen nga strukturat ilegale”.

Ata, shtoi Osmani në prezencë të Pahor, “nuk frikësohen nga unë, por nga udhëheqësit e organizatave kriminale që i kanë bllokuar dhe po i mbajnë peng, po i mbajnë në mënyrë që të rikthehen tensione në stilin e Putinit”.

“Prandaj i ftoj të gjithë që të mos bien preh e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe tek njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviç-it”, shtoi Osmani, duke aluduar këtu në vetë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë të 90-tave, ishte ministër i Kasapit të Ballkanit.

Serbia ka kryer gjenocid

Osmani e irrituar u përgjigj edhe në një pyetje ndaj pretendimeve të Serbisë kur ata thirren në të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Serbia është shteti i fundit në botë që mund të na flas për të drejtën ndërkombëtarë, bashkë me Rusinë”, tha Osmani. “Një shtet që ka kryer gjenocid ndaj fqinjëve s’mund të flas për të drejtën ndërkombëtare”, shtoi ajo.

“Serbia ka kryer gjenocid në Bosnje ndaj boshnjakëve dhe në Kosovë ndaj shqiptarëve”, tha presidentja, duke mos lënë pa përmendur edhe sjelljen e shteti serb në raport me shqiptarët në Luginë, që për Osmanin s’është asgjë më pak se “spastrim etnik me metoda administrative”.

Presidentja e ka fjalën këtu për shuarjen e adresave që Beogradi zyrtar bën për vendbanimet shqiptare në Luginë të Preshevës.

Konferenca përfundoi duke u theksuar ndihma e madhe që Sllovenia në përgjithësi e Pahor në veçanti kanë dhënë për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore