Shqipëria

Dalin në dritë konfliktet e tjera të Ardian Nikulajt, biznesmenit të ekzekutuar në Shëngjin


Vrasje politike ose për hakmarrje, çështja e ekzekutimit të biznesmenit lezhjan Ardian Nikulaj mbetet e hapur, ku së fundmi kanë dalë në dritë edhe detaje të reja, lidhur me konfliktet e hapura që ai ka pasur ndër vite, si pistë hetimore për Policinë.

Ai u vra me armë zjarri të mërkurën në biznesin e tij në Shëngjin, në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që ka qenë në pronësi të viktimës.

Teksa një pistë hetimi lidhet me gjakmarrjen, prej konflikteve me fisin Palaj, një tjetër rrugë është hapur, ku tregohen konflikte me një tjetër familje, atë Kolndreu.

Hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje disa pjesëtarë të kësaj familjeje, pasi përpara tre vjetësh, disa anëtarë të familjes Nikulaj kanë rrahur shtetasin Marsel Kolndreu.

Sipas babait të Marsel Kolndreut, i cili është marrë në pyetje, djali i Nikulajt dhe nipat e tij, e kanë rrahur atë me shkopinj bejzbolli.

“Iu kam çuar njerëz dhe iu kam thënë që pse ma rrahët djalin në këtë formë. Ardiani na është përgjigjur ‘rrini mirë’”, ka bërë me dije babai i Marsel Kolndreut gjatë hetimeve.

Teksa për vrasjen, ai ka deklaruar se e ka dëgjuar prej mediave dhe se nuk ka lidhje me ngjarjen.

Siç është zbuluar të premten e 21 prillit, e gjithë familja e Ardian Nikulajt është ndjekur dhe monitoruar disa ditë përpara vrasjes së biznesmenit të njohur në zonën e Shëngjinit në Lezhë.

Rreth dy javë përpara vrasjes, një mjet i llojit “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit.

Prej atij mjeti, dy persona kanë dalë, të cilët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si “Lapidari” dhe më pas janë larguar.

Nga ana tjetër, tre ditë përpara vrasjes së Nikulajt, një mjet i tipit “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, duke hamendësuar se ai po ndiqej.

Sa i takon vetë vrasjes së sipërmarrësit, e ndodhur më 19 prill, mendohet se tre persona kanë qenë përgjegjës.

Njëri, është pikërisht ai, i cili është publikuar edhe në media me pamjet nga kamerat e sigurisë dhe i cili e ka kryer konkretisht ekzekutimin.

Dy të tjerë, kanë pasur rolin e vëzhguesve, për të monitoruar çdo lëvizje të Nikulajt.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe pasi qëlloi disa herë 50-vjeçarin.

Pamjet e publikuara në media tregojnë momentin kur autori i krimit, i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e barit.

Sipas dinamikës paraprake të ndërtuar nga grupi hetues, autori që qëlloi mbi biznesmenin, thuhet të ketë mbërritur në lokalin e Nikulaj, nga qyteti i Shkodrës.

Nikulaj ka pasur në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.

Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu në formular rezulton se Nikulaj ka mbiemrin e ndryshuar.

Në këto zgjedhje ndërkaq, ai ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të Lezhës.

Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së vrasjes së biznesmenit, nëse kemi të bëjmë me një atentat, apo nëse kemi të bëjmë me një vrasje për motive politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore