Lajme

Daçiç: Von Cramon po fyen Serbinë


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme serb, Ivica Daçiç, ka pretenduar se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, po e fyen Serbinë.

Këto komente, Daçiç i ka bërë pasi von Cramon përmes një postimi në platformën X, tha se Serbia po bën blof duke kërcënuar se do të largohet Këshilli i Evropës nëse pranohet Kosova në këtë organizatë – deklaratë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Niveli i paturpësisë me të cilën disa politikanë evropianë i drejtohen Serbisë është befasues. Kush dhe çfarë i jep të drejtën Viola von Cramon të ofendojë Serbinë, Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe popullin serb”, tha Daçiç, duke shtuar se “askush nuk e vë në dyshim atë dhe askush nuk e kritikon”.

Lexo edhe këtë: Vuçiç paralajmëron largimin nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet

Ai ka pretenduar se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte precedent dhe shkelje e rëndë e parimeve mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës”, sepse, siç thotë ai, “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe as anëtar i Kombeve të Bashkuara”.

“Na kanë gënjyer se kusht për Kosovën do të jetë formimi i Asociacionit dhe në vend që të dënohet Prishtina, tash duhet të shpërblehet me pranim në Këshillin e Evropës”, ​​potencoi Daçiç dhe shtoi se Serbia është një shtet sovran “që udhëheq një politikë të jashtme të pavarur, politikë që udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat e Serbisë”.

Ndryshe, Paralajmërimin e presidentit të Serbisë Vuçiç, se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet, von Cramon e ka cilësuar si blofin e radhës së tij, meqë në vlerësimin e saj është e sigurt që Serbia nuk largohet nga kjo organizëm ndërkombëtar.

“Deklarata nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt”, ka shkruar von Cramon në platformën sociale, X, duke iu referuar deklaratave të fundit të Vuçiç-it në raport me Këshillin e Evropës.

Anëtarët e Këshillit të Evropës, sipas eurodeputetes gjermane, do të vendosin vetë se kë do të pranojnë.

“Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, është shprehur ajo.

Largimi i Serbisë nga KiE, Von Cramon: Blofi i radhës i Vuçiç-it, mos i besoni

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore