Lajme

Daçiç vazhdon fushatën kundër Kosovës: Nuk ka asnjë shans për t’u anëtarësuar në UNESCO


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur këtë të enjte se Kosova “nuk ka asnjë gjasë që të marrë mbështetje që të anëtarësohet në UNESCO”.

Këto komente ai i bëri pas takimit me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audre Azule, në kryeqytetin francez, Paris.

Kryediplomati serb tha se në nëntor po përgatitet edhe Asambleja e UNESCO-s, “për ne është e rëndësishme që duke pasur parasysh qëndrimet tona për Kosovën, të mos ketë asnjë kërkesë nga Kosova për anëtarësim në UNESCO, por kjo nuk do të thotë se mund të mos ndodhë”.

“Është mirë për ne që është një organizatë botërore, dhe jo evropiane ku shumica e vendeve e njohin Kosovën”, shtoi ai.

Ndërkaq, Daçiç nënvizoi se “nuk ka pothuajse asnjë shans që Kosova të marrë konfirmimin për anëtarësim”.

“Kam kërkuar nga organizata që t’i kushtojë vëmendje të veçantë trashëgimisë kulturore në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, në vitin 2015 Kosova nuk ka pasur sukses të anëtarësohet në UNESCO pas një lobimi të ashpër të Serbisë dhe aleatëve të saj kundër këtij anëtarësimi.

Kosova nuk arriti të sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO.

Kundërshtime ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNECO, kishte bërë edhe Kisha Ortodokse Serbe.

Ndryshe, Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara e themeluar më 16 nëntor 1945.

Qëllimi i kësaj organizate është të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në botë duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës, dhe kulturës.

Po ashtu, kërkon edhe respektimin universal të drejtësisë, ligjeve të shtetit dhe të drejtave të njeriut, liri këto themelore të shpallura në kartën e OKB-së.

UNESCO ka 193 shtete anëtare dhe gjashtë anëtarë të tjera. Selia e saj gjendet në Paris, dhe ka mbi 50 zyra në terren dhe shumë institucione të specializuara dhe qendra në të gjithë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore