Lajme

CPJ: Tre javët e fundit, periudha më vdekjeprurëse për gazetarët që mbulojnë konfliktin


Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) thotë se tre javët e fundit kanë qenë më vdekjeprurësit e regjistruar për gazetarët që mbulojnë konfliktin që kur organizata filloi gjurmimin në vitin 1992.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia amerikane “Associated Press”.

Organizata tha në një deklaratë të premten se të paktën 29 gazetarë kanë vdekur duke mbuluar luftën Izrael-Hamas që nga ndezja e saj më 7 tetor, duke përfshirë 24 palestinezë, katër izraelitë dhe 1 libanez.

Gjithashtu, 8 gazetarë të tjerë u raportuan të plagosur dhe 9 u raportuan të zhdukur ose të ndaluar.

CPJ-ja kritikoi gjithashtu ndërprerjen e shërbimeve të komunikimit në Rripin e Gazës.

Kjo, duke paralajmëruar se ndërprerja e energjisë elektrike është gjithashtu një “errësirë lajmesh” që ka kompromentuar aftësinë e publikut për të “ditur dhe kuptuar se çfarë po ndodh në këtë konflikt”.

“Kjo mund të çojë në pasoja të rënda me një vakum informacioni të pavarur, faktik që mund të mbushet me propagandë vdekjeprurëse dhe dezinformata”, tha komiteti.

Organizata theksoi se gazetarët janë civilë që duhet të respektohen dhe mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke shtuar se “vënia në shënjestër e gazetarëve ose e infrastrukturës mediatike përbën krime të mundshme lufte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore