Shqipëria

COVID-19 në Shqipëri/ Shënohet viktima e parë pas 50 ditësh


Një person i vdekur dhe 90 të infektuar nga COVID-19 janë regjistruar për 24 orët e fundit në Shqipëri.

Viktima, një 72-vjeçar i pavaksinuar nga Tirana, është rasti i parë pas 50 ditësh pa viktima nga coronavirus-i në vend.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Arsimit, në 24 orët e fundit janë kryer 366 testime dhe kanë rezultuar të shëruar 104 persona.

Aktualisht në Shqipëri janë 1 mijë e 825 qytetarë aktivë me COVID-19.

Ndër ta, 17 pacientë po marrin trajtim në spitalin COVID3.

Apeli i Ministrisë së Shëndetësisë për qytetarët

Nisur nga rritja e numrit të qytetarëve të prekur nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë sërish thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid, posaçërisht në këtë periudhë të rritjes së kontakteve, për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror.

Çdo person mbi 12 vjeç, bën me dije Ministria,mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Gjithashtu, MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar, që të drejtohen në qendrat shëndetësore, për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.

Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

“Nëse keni shenja të sëmundjes apo keni patur kontakt me një person të prekur nga COVID-19, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127”, përmbyllet apeli i MSHMS-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore