Shqipëria

Corriere della Sera: Ironia e Ramës për vërshimin e italianëve që pushojnë në Shqipëri


Bumi i turistëve italianë në Shqipëri është tejet i pëlqyeshëm për qeverinë shqiptare.

Aq sa, shkruan Corriere della Sera, Kryeministri Edi Rama kujton përmes mediave sociale se si kohët kanë ndryshuar.

Dhe se rrjedha është kthyer mbrapsht – që nga koha e viteve 1990 e deri më tani.

Në një postim në Instagram, kryeministri tregon dy momentet e uljes rekord të anijes “Vlora” në portin e Barit tashmë tridhjetë e dy vjet më parë.

Por nuk mbaron këtu. Ai shton nja dy fjali në italisht: “1991 – Shqiptarët nisen për në Itali”, “2023 – Italianët nisen për në Shqipëri me pushime”.

Nuk mungon as: “Nuk keni parë asgjë akoma”.

Nëse më parë ishin shqiptarët që u larguan nga vendi pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste, sot janë italianët ata që “pushtojnë” Shqipërinë për të kaluar pushimet buzë detit përgjatë brigjeve nga veriu në jug, veçanërisht midis Vlorës, Sarandës dhe Ksamilit.

Por postimi i kryeministrit shqiptar nuk është mirëpritur nga të gjithë në mënyrë pozitive, vijon artikulli.

Ka nga ata që kujtojnë se emigracioni është një fenomen që ka shkaktuar – dhe shkakton edhe sot – mijëra vdekje në vit.

Një fat që në të kaluarën e kanë pasur edhe vetë shqiptarët.

Që Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet e preferuara të italianëve dhe evropianëve, vërtetohet edhe nga të dhënat e Ministrisë së Turizmit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, në vend kanë mbërritur 3.4 milionë turistë të huaj, 33 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sakaq, Qeveria pret ta mbyllë vitin me mbi 9 milionë vizitorë, nja dy milionë më shumë se dymbëdhjetë muajt e mëparshëm.

Referuar të përditshmes italiane, në muajin qershor në Shqipëri kanë hyrë 1.58 milionë shqiptarë dhe të huaj, 16.3 për qind më shumë se i njëjti muaj i vitit 2022, nga të cilët 1 milionë janë të huaj.

Porti i Durrësit ka regjistruar ndërkaq 20 mijë e 378 hyrje në fundjavën e parë të gushtit.

Kurse aeroporti i Tiranës ka shënuar + 105,1 për qind të transiteve në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore