Shqipëria

Clinton me shembullin e Shqipërisë, i tregon botës çfarë ndodh kur demokracia përqafohet


Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, zhvilloi javën e shkuar më 3 dhe 4 korrik një vizitë në Shqipëri, ku u nderua edhe me titullin Yllit të Mirënjohjes për Arritjet Publike, si edhe lëshoi një sërë mesazhesh të fuqishme për situatën aktuale në rajon dhe më gjerë.

Sa duket, vizita e parë ndonjëherë për të në Shqipëri, i ka lënë mbresa të veçanta edhe pas një jave presidentit të 42-të të SHBA-ve, ku përmes një postimi në median e tij sociale Twitter, ai e bëri Shqipërinë shembull për një vend që përqafon demokracinë.

“Gjatë konfliktit të Kosovës, Shqipëria ndihmoi njerëzimin të mbizotëronte – duke pranuar gati gjysmë milioni refugjatë dhe duke shërbyer si një partner jetik për paqen. Javën e kaluar, pata nderin të festoja lidhjet e miqësisë midis dy vendeve tona dhe të shihja se çfarë është e mundur kur njerëzit përqafojnë demokracinë”.

Kështu ka shkruar ai, duke shpërndarë edhe një video nga nderimi që shqiptarët i bënë përzemërsisht gjatë vizitës.

Ndër mesazhet e tjera që ai dha – mbi të gjitha për situatën e krijuar në veri të Kosovës – ishin ato të “fundit të një marrëzie konfliktuale.

Mesazhet e Clinton nga Tirana: Në veri të Kosovës të marrë fund marrëzia, Shqipëria t’i tregojë botës për të ardhmen gjithëpërfshirëse

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë dhe do të doja të mos ndodhte kurrë”.

Kështu – me një historik të situatës – Clinton u shpreh se nuk ishte vendim i tij, por i kosovarëve për të krijuar ato “katër komuna në të mirë të serbëve për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër”.

Ai ravijëzoi se votimi ishte një gabim dhe se “tani është e lehtë për shqiptarët në shumicë që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre”.

Duhet kujtuar se gjatë presidencës së tij tetë-vjeçare, ishte pikërisht Bill Clinton, kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili mori vendimin e guximshëm për të nisur bombardimet e NATO-s në Serbi dhe për të çliruar Kosovën nga agresori.

Ndërsa, mbi Shqipërinë, ai pranoi se të gjithë aleatët duhet të jenë bashkë kur bëhet fjalë për ta mbështetur.

Vizita e Clintonit jo shtetërore, ama historike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore