Lajme

Chollet bisedon me Kurtin e Vuçiç-in, dënon sulmin e neveritshëm në Veri, veçon Serbinë për de-eskalim të menjëhershëm  


Albin Kurti, Derek Chollet dhe Aleksandër Vuçiç

Këshilltari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, ka bërë të ditur se të martën ka zhvilluar biseda telefonike ndarazi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për situatën në Veri të Kosovës.

Në dy postime të ndara në platformën sociale, X, diplomati amerikan, ka bërë të ditur se me kryeministrin Kurti në telefon ka diskutuar për sulmin e neveritshëm të bandave terroriste në Kosovë ku mbeti i vrarë një pjesëtarë i Policisë së Kosovës.

“Dënova ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; kam shprehur ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit”, shkroi ai.

Në anën tjetër, Chollet, ka bërë të ditur se në bisedën telefonike me Vuçiç-in ka kërkuar nga ky i fundit de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës në Veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet.

“Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në Dialogun e lehtësuar nga BE”.

Çfarë ndodhi? 

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se katër sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore