Lajme

Çështja Scurati, ndërhyrja e Melonit dhe anticensura e Murdoch


Antonio Scurati mund të mos jetë shumë i njohur në Shqipëri, por është një autor në zë në fqinjët e Italisë dhe së fundmi është bërë objekt i një diskutimi shumë të gjerë, pasi ka akuzuar median shtetërore Rai se e ka censuruar një monolog të tijin në ditën e çlirimit të Italisë nga fashizmi.

Dhe kush e ka bërë këtë sipas tij? Partia në pushtet, e cila vjen nga radhët e të djathtës ekstreme (Partia Vëllezërit e Italisë është trashëgimtare e partisë neofashiste Lëvizja Sociale Italiane), dhe udhëhiqet nga Giorgia Meloni, ku të shumtë jo pak herë e lidhin pikërisht me trashëgiminë fashiste dhe ia përdorin si argument kundër këtë.

Por, çështja nuk është kaq e thjeshtë.

Në terma të gjerë, Scurati pati përgatitur një monolog, të cilin do ta lexonte në Rai më 25 prill, por në minutë të fundit anulohet nga drejtori i Rai, i cili është caktuar pikërisht nga Meloni.

Kjo ngjarje mund të kalonte edhe nën zë, ose thjesht me akuza të palëve ndoshta, po të mos ishte se nga vetë Rai u bë njoftimi, por u “kamuflua” si një çështje pagese tepër të lartë dhe jo censure.

Polemikat patën nisur rreth rastit, por më pas shkëndija u bë zjarr kur Giorgia Meloni iu adresua qytetarëve në media sociale dhe i tha se Scurati nuk ishte censuruar, se çështja kishte të bënte me para dhe se ajo vetë, nuk kishte asgjë kundër pjesëzës së autorit të botimeve të shumta lidhur me epokën fashiste të Italisë. Por një email i drejtorit të Rai shpjegoi më pas se arsyeja ishte thjesht editoriale dhe jo ekonomike.

Scurati i fundit pritej të adresonte në monolog problemin e populizmit sot në Evropë, duke bërë një analogji me Giacomo Matteotti-n, një kundërshtar politik të Benito Mussolinit, i cili u vra nga regjimi më 1924-ën.

Debati mbi censurën u bë aq i fortë, sa në mes u fut edhe krahu i djathtë u Rupert Murdoch, Robert Thomson, i cili është kundër censurës së përshkruar nga Scurati në Itali.

Murdoch njihet si ish-drejtuesi i Fox News, media qartësisht e vendosur në shërbim të Donald Trump, ish-presidentit amerikan dhe kandidatit për zgjedhjet e 2024-ës. Të dy në vitin e fundit kanë pasur përplasje të fuqishme, të cilat çuan në tërheqjen e Murdoch nga Fox.

Por, çfarë thotë Thomson mbi rastin Scurati dhe si e përshkruan një person, i cili drejton globalisht mediat konservatore në botë rastin? Kundër çdo censure!

Një artikull e ka botuar e përditshmja Repubblica lidhur me rastin.

Artikulli i Repubblica

“Ngulfatja e mendimeve, e zërave, e fjalës së shkruar, vetëm sa mund të dëmtojë një vend dhe një kulturë”.

Perandoria botuese e Rupert Murdoch, ndoshta protagonisti më i fortë i konservatorizmit në mediat globale, mban qëndrim kundër zgjedhjeve të qeverisë Meloni për çështjen Scurati. Këtë e bën nëpërmjet ekzekutivit të saj të lartë, shefit ekzekutiv të News Corp, Robert Thomson, i cili e ndjek Italinë me vëmendje të veçantë edhe sepse është vendi i origjinës së familjes së tij.

Pasi lexoi artikujt e botuar në mediat anglo-saksone në lidhje me vendimin e Rait për të mos transmetuar monologun e shkrimtarit që ishte kritik ndaj fashizmit, Thomson komentoi këtë çështje me Repubblica: “Është thelbësore që të gjitha shoqëritë të kenë një konkurrencë të fortë idesh, dhe se ide të tilla janë të informuara nga gazetaria e bazuar në fakte”.

Ky gjykim i ka rrënjët në karrierën gazetareske të Thomson, i cili më parë kishte qenë redaktor i edicionit amerikan të Financial Times, redaktor i Times të Londrës dhe më pas i Wall Street Journal. Por tani ai drejton një perandori që varion nga këto botime në New York Post, The Australian, Dow Jones, Barron’s dhe shtëpia botuese HarperCollins.

Ai është shumë i përkushtuar ndaj modelit të ardhshëm të gazetave, duke udhëhequr përpjekjet për të marrë kompensim të drejtë nga gjigantët digjitalë për përmbajtjen e publikuar në platformat e tyre, dhe si krahu i djathtë i Murdoch, ai natyrisht është i interesuar për atë që ndodh në botën televizive ku Fox operon.

Prandaj ai është i prirur të sqarojë mendimet e tij për ndikimin negativ të censurës, nga cilado parti politike që praktikohet, dhe me çfarëdo arsyetimi: “Ngulfatja e mendimit, e zërave, e fjalës së shkruar veçse mund të dëmtojë një vend dhe një kulturë”.

Michael Wolff, i cili ia kushtoi librin e tij të fundit pasardhësve të Murdoch, është më i kujdesshëm: “Nuk është e lehtë për mua të kuptoj se çfarë e dallon këtë protestë nga ato që bëhen përgjithësisht kur një artikull refuzohet.”

Leonard Downie, drejtor i Washington Post për 17 vjet, ku gjatë skandalit Watergate kishte qenë asistent i redaktorit legjendar ekzekutiv Ben Bradlee, të cilin më pas e mori përsipër, është përgjegjës për t’iu përgjigjur.

“Një gjë e tillë – shpjegon ai – nuk mund të ndodhë kurrë në SHBA, sepse këtu Amendamenti i Parë i Kushtetutës mbron lirinë e shprehjes në çdo rast. Kjo liri është themelore sepse pa të një demokraci nuk mund të funksionojë, siç nënvizoi Presidenti Jefferson, gjithmonë dhe në çdo vend.

Natyrisht, fakti që një monolog kundër fashizmit censurohet nga qeveria e udhëhequr nga një parti që i ka rrënjët në traditën fashiste, e bën çështjen shumë më të ndërlikuar”.

Zgjidhja që Downie sheh është vetëm një: “Italia duhet të miratojë ndarjen midis Kishës dhe Shtetit, e cila dallon marrëdhëniet midis qeverisë dhe informacionit në Amerikë. Këtu ekzekutivi mund të kërkojë të mos botohet një artikull, por jo ta urdhërojë atë.

Gjykata e Lartë E ripohoi këtë me vendimin e saj në lidhje me çështjen Pentagon Papers. Qeveria nuk zotëron PBS, por jep kontributet e saj në Korporatën për Transmetim Publik, e cila më pas financon televizionin dhe radion publike, e mbështetur edhe nga donacionet private. Në Itali, Rai nuk është televizion publik, por qeveritar.  Çdo ndërhyrje e ekzekutivit në informacion, qoftë TV, gazeta apo media digjitale, e vë në rrezik demokracinë. Nuk shoh zgjidhje të mundshme derisa Rai të bëhet vërtet i pavarur nga qeveria, edhe në terma të pronësisë, dhe gazetat çlirohen nga çdo presion”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore