Shqipëria

Celibashi: Rezultati i zgjedhjeve del brenda 48 orësh, dy hetime për Durrësin dhe Rrogozhinën


Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka thënë se rezultati për zgjedhjet e 6 marsit pritet të dalë 48 orë pas përfundimit të procesit të votimit.

“Në Vorë synohet që rezultati paraprak të shpallet sapo të mbyllet procesi i votimit. Jo më vonë se ora 20:00. Brenda mbrëmjes së datës 6 mars”, ka treguar ai.

Kurse për rezultatet e bashkive të tjera, Celibashi ka treguar se janë marrë të gjitha masat nga ana logjistike dhe se nuk beson të ketë probleme për të shpallur rezultatin jo më vonë se 48 orë nga mbyllja e votimit.

“Ndoshta edhe më shpejt. Sepse kemi një numër të kufizuar kandidatësh dhe nuk implikon më shumë se kërkon ligji”, ka vijuar ai.

Mbi parregullsi ose denoncime lidhur me shitblerjen e votës, Celibashi ka treguar për dy denoncime të Partisë Demokratike për Durrësin dhe Rrogozhinën.

“Deri më tani nuk ka pasur në KQZ shqetësime për shit-blerje vote. Ka pasur një denoncim nga PD-ja për administratën publike për dy raste. KQZ-ja ka nisur një hetim administrativ për Durrësin dhe Rrogozhinën. Kanë ardhur përgjigjet dhe po bëjmë verifikimet”, ka treguar Celibashi.

Sipas tij, partitë politike kanë përgjegjësi për procesin zgjedhor dhe se pret prej tyre që ta demonstrojnë këtë përgjegjësi.

“Nuk kam pasur mundësi ta ndjek fushatën zgjedhore. Kemi monitoruesit në terren dhe nga raportimet që kemi, nuk janë evidentuar raste që fushata të jetë jashtë parashikimeve të ligjit”, ka shtuar ai.

Po ashtu ka theksuar se çka ka më shumë interes është se partitë politike kanë përgjegjësi për procesin zgjedhor.

“Kjo është kryesore. Ta demonstrojnë atë në përputhje që kanë me atë proces. Këtë thirrje shpresojnë të dëgjojnë shumë mirë”, ka përmbyllur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore