Sport

Ceferin: Dështimi i Superligës ishte një arritje e madhe për vitin 2021


Superliga Evropiane, ishte një garë futbollistike, e cila u tentua të krijohej nga klubet e mëdha evropiane, në muajin prill të këtij viti.

Por, nuk zgjati shumë dhe klubet të cilat themeluan këtë garë, u dorëzuan me projektin që duhej të mbyllej.

Lidhur me këtë gjë, së fundmi ka folur presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili tha se dështimi i kësaj gare, ka qenë një nga të arriturat më të mëdha në vitin 2021.

“Tentativa e muajit prill për të krijuar një Superligë të mbyllur, kishte të bënte vetëm me pasurimin e disa klubeve dhe kërcënonte vlerat që janë në qendër të modelit sportiv evropian dhe të UEFA-s”.

“Fundi i saj, i dënuar nga politika, tifozët dhe i gjithë Kontinenti ka qenë fitorja jonë më domethënëse në vitin 2021”, tha i pari i UEFA-s.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që mbështetën UEFA-n, në një moment të vështirë. Kjo mbështetje bën që të gjithë objektivat tonë në vazhdimësi të krijojnë një të ardhme të qëndrueshme për futbollin evropian”, tha mes tjerash Ceferin.

Kujtojmë që Real Madrid, Barcelona dhe Juventus ishin iniciatorët e kësaj ideje, teksa më pas këtij formati iu bashkuan edhe top klubet angleze, e ato italiane.

Megjithatë, reagimi i UEFA-s, politikës dhe tifozëve të futbollit ishte i menjëhershëm duke u pozicionuar kundër kësaj ideje, e cila shihte vetëm skuadrat e mëdha duke u përplasur me njëra-tjetrën, duke mënjanuar ekipet të ashtuquajtura të vogla.

Qëllimi i klubeve të sipërpërmendura ishte i qartë, të mblidheshin sa më shumë të ardhura teksa futbolli vinte nga një moment i vështirë pas COVID.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore