Sport

Cavani, pranë rinovimit me United-in


Edinson Cavani është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje të re me Manchester United-in, pavarësisht spekulimeve se Boca Juniors-i e kërkon.

Sulmuesi nënshkroi një kontratë 1-vjeçare kur mbërriti në Old Trafford në tetor, e cila përfshinte edhe një mundësi rinovimi për një vit, deri në 2022.

Të hënën, mediat argjentinase raportuan se Cavani ishte afër kalimit te Boca, në verën e ardhshme, madje duke qenë i gatshëm për të ulur pagën, sepse mbi të gjitha do të plotësonte një ëndërr të fëmijërisë.

Sipas TyC Sports, qëllimi i Cavani-t tashmë është të realizojë zgjatje të kontratës.

Tekniku i United-it, Ole Gunnar Solskjaer-i, konfirmoi ditët e fundit se qëllimi i klubit ishte që të bisedonte me Cavani-n për planet e tij dhe për të ardhmen e afërt.

“Unë vetëm mund të them se Edinson-i ka bërë mirë për ne. Unë  kam qenë i impresionuar nga ai dhe ai është përshtatur mjaft mirë me grupin”.

“Ne do të ulemi me të dhe do të flasim me të së shpejti, natyrisht, për të parë planet e tij dhe planet tona”, tha tekniku i United-it.

Cavani është penguar jo pak nga dëmtimet, sidomos në dy vitet e fundit te PSG-ja, por ai akoma di si të shënojë. Deri tani ka shënuar shtatë gola për United-in, duke u bërë një lojtar i dashur për tifozët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore