Lajme

Bytyçi për dokumentin franko-gjerman: Kosova mund ta pranojë, “por djalli është në detaje”


Seb Bytyçi

Edhe për profesorin universitar në Winchester, Seb Bytyçi, propozimi franko-gjerman, i publikuar së fundmi nga Albanian Post, është i favorshëm për Kosovën, por sipas tij “duhet të detajohen disa çështje”.

“Kosova mund ta pranojë, por djalli është në detaje”, u shpreh Bytyçi në një prononcim për AP.

Pjesa dërrmuese e marrëveshjes, siç kishte raportuar AP, është e ndërtuar nga modeli i dy-Gjermanive i vitit 1972, nga pajtimi që ishte quajtur Marrëveshja Bazë, thelbin e së cilës e shpjegon Bytyçi duke e krahasuar këtë model me rastin e Kosovës.

“Në rastin e dy gjermanive të dyja kanë pretenduar se përfaqësojnë të njëjtin ‘vend’ ose komb, kurse në rastin e Kosovës, Kosova tashmë ka njohje si vend i veçantë nga Serbia, edhe te ato shtete që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe ajo që nevojitet është njohja ndërkombëtare e shtetit”.

“Çështja tjetër kryesore ka qenë mundësia për bashkim  në të ardhmen, që te dy gjermanitë ka ekzistuar realisht, kurse te Kosova e Serbia nuk ekziston”, shtoi ai.

Bytyçi ka komentuar edhe nenin katër sipas të cilit Serbia nuk mund më të pengojë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, përfshirë edhe të bëjë fushatë lobuese kundër Kosovës te pesë shtetet mosnjohëse, si dhe të pengojë antarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Kosova mund të kërkojë më tutje që të përfshihet në marrëveshje kërkesa për referendum në të dy shtetet për ta shfuqizuar këtë marrëveshje (pra që njëra palë ta merr të drejtën ta përfaqësojë palën tjetër)”, vuri në pah ai.

Derisa me propozimin franko-gjerman Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Bytyçi nënvizon se së pari duhet te kërkohet “shpërbërje dhe ndërprerje të financimit të strukturave paralele” nga ana e Serbisë, pastaj të themelohet Asociacioni, që sipas Bytyçit, “duhet të jetë pa kompetenca ekzekutive dhe multietnik”.

Gjithashtu, sipas tij, duhet të ketë edhe një lloj garancie nga ndërmjetësuesit që BE-ja ta njohë Kosovën dhe të nënshkruhen marrëveshje diplomatike për ndihmë për njohje përtej shteteve mosnjohëse të BE-së e NATO-s.

“Pra të mos mbetet gjithçka në nivel të premtimeve sepse Kosova nuk ka përvojë të mirë” potencoi ai duke shtuar se duhet të sqarohet cilat janë pasojat nëse Serbia nuk e pranon planin.

“Pranimi nga Kosova do ta ekspozonte strategjinë e Serbisë për negociata të përhershme”.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore