Kosova

Bulliqi paguan 2600 euro për dy kontrolla të veturave të komunës


Foto: Albanian Post

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Valon Demolli, ka publikuar në faqen e tij në Facebook disa fatura të shpenzimeve të komunës në të cilat shihet se kryetari Shpejtim Bulliqi ka paguar 2600 euro për dy kontrolla të veturave.

“Për dy kontrolle të ‘rregullta’ brenda vetëm tre muajve për xhipin e zi të Shpejtim Bulliqit të LVV-së nga taksat tona komuna e Podujevës ka paguar rreth 2600 euro”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje që dikur i shanin xhipat e zi, “tash s’po dinë me zbrite prej tyre”.

“Të mos harrojmë kjo kontratë menaxhohet nga ish kryetari i pikës së LVV-Podujevë, tani shofer në Komunën e Podujevë”, potencoi Demolli.

Ndryshe, Albanian Post pati raportuar vitin e kaluar se Bulliqi kishte punësuar dhëndërrin e tij Flakron Zhitin në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.

Shpejtim Bulliqi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tri vite më parë ishte zgjedhur kryetar i Podujevës.

Bulliqi pati thënë se do tu përmbahet të gjitha premtimeve të bëra gjatë fushatës, krejt kjo në të mirë të mirëqenies së qytetarëve të Podujevës.

“Unë sot po marr një përgjegjësi të lartë që më besuan qytetarët për ti shërbyer një komuniteti dhe rrethine. Gjatë kësaj kohe kam reflektuar mbi të arriturat historikisht që ka pasur Llapi dhe Podujeva. Besimin e qytetarëve do ta kthejmë në realizim të pritjeve të tyre”, pati potencuar Bulliqi.

Dhëndri i Shpejtim Bulliqit punësohet në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina” – Bulliqi: Mos më pyetni mua si është punësuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore