Lajme

Buhler: Sulmi në Banjë ishte padyshim një sulm terrorist, disa institucione të sigurisë serbe duhet të kenë qenë të përfshira


Ish-komandant i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Erhard Buhler, në një intervistë për televizionin publik kroat, HRT ka thënë se sulmi ndaj Kosovës nga një grup i armatosur gjatë vitit të kaluar në Banjë të Zvecanit, padyshim që ishte sulm terrorist, teksa shprehet i bindur që këtë sulm e kanë mbështetur autoritetet serbe.

“Sulmi në manastirin në fshatin Banjë ishte padyshim një sulm terrorist. Me sa di dhe mund të gjykoj, nuk është e mundur që ata ta kenë kryer sulmin vetëm. Disa institucione të forcave të sigurisë serbe duhet të kenë qenë të përfshira”, tha Buhler.

“Të paktën ata e dinin për sulmin dhe e mbështetën atë. Ndryshe, nuk mund të ushtrohen në terrenin zyrtar të forcave serbe. Në një vend si Serbia, kjo nuk është e mundur pa e ditur nivelet më të larta”, potencoi ai.

Por, tash sipas ushtarakut gjerman, Kosova është në pozitë shumë të mirë, meqë ka mijëra forca ushtarake me mandat të Këshillit të Sigurimit që kujdesen për sigurinë.

“Paqeruajtësit janë tashmë atje. Janë gjashtë mijë ushtarë nga vendet tona: nga Kroacia, Gjermania, ShBA, etj. Nëse e dimë këtë, nuk ka arsye të vazhdojmë me atë retorikë luftarake, nga të dyja palët”, shtoi.

Tutje, Buhler theksoi se nuk është e pranueshme që të përkrahet një grup terrorist dhe as që është e pranueshme që ushtria serbe të dërgojë trupa në kufirin me Kosovën dhe të kërcënojë Kosovën.

“Nuk është e pranueshme as retorika e qeverisë serbe. Nuk duhet të ushqejmë një retorikë të tillë që i frikëson njerëzit, veçanërisht në Kosovë, por edhe në vendet përreth Kosovës”, potencoi ai.

Ndryshe, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Për këtë ngjarje, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, ku edhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të merren masa ndëshkuese ndaj saj.

Nga ana tjetër, Serbia, jo që nuk është distancuar nga ky sulm terrorist, por edhe ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore