Lajme

Bugajski: Putini e imiton strategjinë e Millosheviçit


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i dinamikave politike në Ballkanin Perëndimor, në një shkrim autorial të botuar në portalin “The Geopost”, ka thënë se strategjia e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Ukrainë është pothuajse identike me atë të ish-presidentit fashist të Serbisë, Slobodan Millosheviç, në ish-Jugosllavi.

“‘Vëllai më i madh’ po adopton gjithnjë e më shumë metodat e ‘vëllait më të vogël’ dhe rezultatet në mënyrë të ngjashme do të çojnë në shpërbërjen e Rusisë. Moska, ashtu si Beogradi në vitet 1990, përdor katër komponentë kryesorë në sulmin ndaj Ukrainës: justifikimet historike, dezinformatat, pushtimet territoriale dhe gjenocidi”.

Bugajski ka shkruar të hënën se autoritetet ruse kanë filluar të shpikin histori të rreme për të diskredituar viktimat e tij, duke përsëritur shumë nga akuzat që Beogradi ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë kundër boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht ndaj kësaj të fundit.

“Ukrainasit portretizohen si nazistë, terroristë dhe kriminelë, madje ngrihen akuza për marrjen e organeve, duke imituar pretendimet e rreme të Beogradit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderëve të shtetit kosovar”, ka shkruar Bugajski, i cili është bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington.

Ai ka theksuar se ashtu si shteti rus, ashtu edhe ai serb, në thelb po kryejnë gjenocid ose etnocid siç përcaktohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin – për të shkatërruar qëllimisht, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

“Projekti i ‘Serbisë së Madhe’ përfundimisht dështoi, por si në Ukrainë, ai u shoqërua me krime lufte të përhapura, duke përfshirë vrasjet masive, përdhunimet, torturat, dëbimet, kampet e përqendrimit, bombardimet pa dallim të civilëve, asgjësimin kulturor dhe shkatërrimin e infrastrukturës”.

“Ashtu si Putini, edhe Millosheviçi u gjykua dhe u dënua për krime lufte gjatë luftës së Serbisë kundër Kosovës. Aktakuzat specifike nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përfshinin krime kundër njerëzimit në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Kroaci”, ka shkruar ndër të tjera Bugajski.

Rusia ka kohë që është përqendruar në lojën e propagandës dhe dezinformatave, veçanërisht pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, nëpërmjet mediave tradicionale dhe ato sociale, për të ndryshuar narrativën në favor të saj, ashtu sikurse fushata dezinformuese e Serbisë kundër Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore