Lajme

Bugajski optimist: Serbia mund ta njohë Kosovën kur Rusia ta humbë luftën


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, në një prononcim për “Euronews Albania“, ka deklaruar se herët apo vonë Serbia do të detyrohet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas Bugajskit, ndonëse njohja nuk do të arrihet gjatë regjimit të Aleksandër Vuçiç-it, kjo ka shumë gjasa të ndodhë kur Rusia të humbasë luftën në Ukrainë dhe kur ndikimi i saj në Ballkan do të fillojë të zbehet.

“Në fakt jam optimist që kjo gjë herët apo vonë do të ndodhë. Mbase nuk do të ndodhë gjatë kësaj qeverie, pra qeverisë së Vuçiç-it. Gjasat më shumë janë që të ndodhë kur Rusia ta humbë luftën në Ukrainë, të dobësohet dhe të mos ndërhyjë më në Ballkan”, tha ai.

Bugajski, i cili ka përvojë shumëvjeçare si konsulent për çështje të Evropës Lindore në organizata të ndryshme amerikane, theksoi se mbështet kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Dhe me shumë gjasa do të ndodhë kur kushte më të ashpra t’i vendosen Beogradit për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Pra me fjalë të tjera, ti e pranon, të hapet rruga e anëtarësimit në BE, në të kundërtën nuk ka mundësi anëtarësimi, por do humbasësh dhe fondet e BE-së”, është shprehur ai.

“Asociacioni është bombë me sahat, recetë për mosmarrëveshje”, intervistë ekskluzive me Janusz Bugajskin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore