Lajme

Brnabiç në linjë me propagandën e Vuçiç-it: “Kurti fajtor për gjithçka”


Ana Brnabiç dhe Aleksander Vucic

Ana Brnabiç, Kryeministrja e Serbisë, në një intervistë për median e afërt me regjimin në Serbi “TvPink”, është përkujdesur që ta vazhdojë propagandën e shefit të saj, presidentit Aleksandër Vuçiç, sa i përket ngjarjeve të fundit në Veri, ku si pasojë mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

Ngjashëm si Vuçiç-i, ajo ka propaganduar se “fajtori i vetëm për konfliktin është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, duke shtuar se “kjo është ëndrra e jetës së tij”.

“Ne si shtet do të mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë për serbët në Kosovë. Situata në të cilën na ka sjellë Albin Kurti dhe heshtja e ndërkombëtarëve është katastrofike”, propagandoi Brnabiç.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, ka provuar të justifikohet pas tensioneve të fundit në Veri të Kosovës, ku për pasojë ka mbetur i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke e akuzuar kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Fajtori i vetëm për atë që po ndodhë në veri – me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare – është Kurti. Gjatë gjithë kohës ka provokuar dhe vazhdon të provokojë. Dhe më vjen keq që një grup i serbëve ka rënë në provokimet e tij. Kurti dëshiron konflikt dhe luftë. Dëshira e tij jetësore është që ta fusë Serbinë ne luftë me NATO-n”, ka thënë Vuçiçi.

Presidenti serb ka pandehur se “kjo është dita më e vështirë” për Serbinë që prej vitit 2004 dhe 2008, derisa duke shtuar se Serbia s’ka kontroll efektiv në Kosovë, ai ka njoftuar se autoriteteve serbe u është dashur shumë kohë që të kuptojnë se çfarë ka ndodhur të dielën në Manastirin e Banjskës në Zveçanin e banuar kryesisht me serbë etnikë.

“Në të vërtetë do të flasim vetëm për atë që ka ndodhur, pastaj do ta bëjmë vlerësimin e kësaj. Mbrëmë rreth orës 2 një grup i serbëve nga Kosova i kanë vendosur dy kamionë në Banjskë pastaj vjen Policia e Kosovës që tenton t’i largojë ato barrikada dhe pason konflikti, ku është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur”.

Vuçiçi s’ka cenzurë për fantazinë: Kosova kurrë s’do ta fitojë pavarësinë e saj nga Serbia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore