Kosova

Brnabiç: “Kurti po shkakton një përshkallëzim të ri për t’i shmangur detyrimet nga marrëveshja”


Ana Branbiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka pretenduar këtë të marte, pas arrestimit të arrestimit nga Policia e Kosovës të drejtuesit të grupit kriminal “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po përpiqet të shkaktojë një përshkallëzim të ri dhe një valë të re të dhunës”.

“Dhe në këtë mënyrë të shmangë detyrimet nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, të cilat përfshijnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, potencoi Brnabiç nga Londra, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Ndërkaq, ajo tregoi se të hënën ka biseduar me të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, siç potencoi ajo “se si të përmirësohet situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, dhe për situatën e krijuar në Veri të Kosovës.

“Dhe si mundemi të krijojnë një bashkëpunim më të mirë në këtë kuptim dhe komunikim më të ngushtë mes Britanisë së Madhe dhe Serbisë, dhe veçanërisht kemi prekur temën e Kosovës”, pohoi Brnabiç.

Po ashtu, Brnabiç u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që ta ndihmojnë Beogradin të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve” të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, këtë të marte është arrestuar serbi, Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” nga Policia e Kosovës, i cili sipas ministrit të Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është njëri nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Mirëpo, gjersa Policia e Kosovës ka zbatuar urdhrin për arrestimin e të dyshuarit, në Veri të Kosovës është lëshuar alarmi, alarm i cili njihet gjerësisht si një mënyrë për të mobilizuar serbët lokalë.

Nga pamjet e publikuara në mediat lokale shihen se në mesin e protestuesve ka nga ata që janë me maska, që dyshohet të jenë anëtarë të grupeve kriminale.

Gjatë aksionit të arrestimit të serbit kanë mbetur të lënduar lehtë tre policë.

Nga pamjet e publikuara në mediat lokale është parë se protestuesit kanë sulmuar edhe automjetin e Policisë së Kosovës.

Grumbullimi i Serbëve në Mitrovicë të Veriut

Gjithçka mori të tatëpjetën me 26 maj kur Qeveria e Kosovës vendosi që, të shoqëruar nga policia, të fusë tre kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Serbët lokalë protestuan të premten, por situata nuk eskaloi.

Të hënën, kur protestuesve iu bashkuan banda huliganësh nga Veriu, shpërtheu protesta dhe përfundimi ishte rreth 40 ushtarë të KFOR-it të lënduar, meqë ata krijuan kordon mes protestuesve dhe policisë.

Nga kjo ditë, shpërthime më nuk ka pasur, por gjendja s’është shtensionuar akoma.

Përkundër se ishin protestuesit që përdoren dhunën, spektri diplomatik e ka bërë kryesisht fajtore qeverinë e Kosovës për zhvillimet, pikërisht për faktin që morën hapa të pakoordinuar me ta.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, në një konferencë për media doli me propozim pesë pikesh për shtensionim në Veri.

Të përmbledhura pesë pikat e Kurtit janë që “Të sundojë ligji në Veri, të bëhet identifikimi dhe ndjekja penale e anëtarëve të bandave kriminale, këto grupe të tërhiqen nga Veriu, të bëhet sigurimi i terrenit bashkë me policinë, KFOR-in dhe EULEX-in dhe në fund të shapllet data e zgjedhjeve”.

“Kjo është oferta ime, unë pres përgjigje”, tha Kurti, duke deklaruar gjithashtu se do të donte takim gjatë kësaj jave në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore