Lajme

Brenda vitit 2030 do të rivendosen 300 mijë kilometra lumenj


Disa vende në Afrikë dhe Amerikën Latine nisën një iniciativë “historike” të enjten më 23 mars për të rivendosur 300 mijë kilometra lumenj deri në vitin 2030, si dhe liqene dhe ligatina, të degraduara nga aktivitetet njerëzore.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Kjo “sfidë e ujërave të ëmbla”, e udhëhequr nga një koalicion qeverish që përfshin veçanërisht Kolumbinë, Republikën Demokratike të Kongos, Meksikën dhe Gabonin, synon të rivendosë, deri në vitin 2030, 300 mijë kilometra lumenj, afërsisht “shtatë herë rreth Tokës” dhe 350 miliona hektarë ligatina, përafërsisht sa madhësia e Indisë.

Kështu njoftuan në një deklaratë për shtyp OKB-ja dhe disa aktorë të tjerë në Konferencën e OKB-së për Ujërat në New York.

Kjo nismë, “më e madhja në histori për restaurimin e lumenjve dhe ligatinave”, u bën thirrje të gjitha qeverive të vendosin objektiva kombëtare në këtë fushë për të rivendosur shëndetin e mirë të ekosistemeve të ujërave të ëmbla, thelbësore për nevojat ujore për njerëzimin dhe për biodiversitetin.

Ndërsa mungesa e ujit po përhapet në të gjithë botën, nën ndikimin e mbikonsumit, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, ekosistemet e ujërave të ëmbla janë ndër më të kërcënuarit në planet.

“Shenja më e qartë e dëmit që kemi bërë – dhe vazhdojmë të bëjmë – në lumenjtë, liqenet dhe ligatinat tona është rënia marramendëse prej 83 për qind e specieve të ujërave të ëmbla që nga viti 1970”, komentoi Stuart Orr, i komunikuar nga WWF, duke shpresuar që kjo iniciativë mund të “përmbys” trendin.

Një aktiviste për mbrojtjen e mjedisit, Inger Andersen u shpreh se “lumenjtë, liqenet dhe ligatinat e shëndetshme mbështesin shoqëritë dhe ekonomitë tona, por sistematikisht janë të nënvlerësuara dhe të neglizhuara”.

“Ndërsa shtetet janë zotuar të rivendosin një miliard hektarë tokë, sfida e ujërave të ëmbla është një hap i parë kritik për të sjellë vëmendjen e nevojshme ndaj ekosistemeve të ujërave të ëmbla”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore