Shqipëria

Bregu: “Open Balkan” i duhet rajonit


Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, ka artikuluar qartësisht se iniciativa “Open Balkan”, me qëllim kryesor krijimin e një tregu të përbashkët me katër liritë themelore të Bashkimit Evropian të implementuara në të, i duhet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, kjo nismë e fuqizon edhe më tej bashkëpunimin rajonal.

“Ne na takon të mbajmë një mundësi hapur për të mirëpritur dhe konsideruar ide të cilat janë prezente në rajon. Kjo nuk do të thotë që rajoni bëhet më i mirë dhe më konkurrues e arrin të tërheqë më shumë investime të huaja duke qenë vetëm tre vende”.

Me këto fjalë, Bregu ravijëzoi se më e mira, është që të gjashta vendet ballkanike, të jenë pjesë. Kjo, për të arritur synimin final, për të qenë nën një ombrellë ekonomike të tregut të përbashkët rajonal.

Çfarë është konkretizuar për Open Balkan?

E enjta e 29 korrikut pa takimin e radhës në kuadrin e Forumit Ekonomik për Zhvillimin Rajonal.

Marrëveshja kryesore e firmosur, ishte ajo e cila parasheh se prej janarit të vitit 2023, midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kufijtë do të ekzistojnë vetëm në hartë.

Marrëveshja për kalimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, është ajo më e rëndësishme e firmosur deri më tani nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Alexander Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan

Në vitin 2023, ajo merr formën konkrete dhe përfundimtare.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve.

Po aq i lirë, do të jetë edhe tregu i punës. Pengesa e vetme është ndryshimi i legjislacionit nga ana e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për këtë shkak është nënshkruar thjesht një memorandum bashkëpunimi mbi çështjen.

Me ndryshimin e legjislacionit nga ana e dy shteteve të tjera, do të vijojë edhe nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare.

Përafrimi i “agjendës së gjelbër” ka qenë gjithashtu pjesë e Forumit Ekonomik të Bashkëpunimit rajonal, i mbajtur sot në Shkup.

Nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar mbi mbrojtjen dhe shpëtimin nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor, është synuar një përafrim – më pas njehsim – i agjendës së gjelbër me atë evropiane.

Brenda vitit ndërkaq, pritet përmbyllja tërësore e koncept-projektit dhe konkretizimi i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore